Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u tha se janë aprovuar mbi 10 mijë aplikacione për të votuar nga jashtë, gjithashtu u tha se aplikuesit po i dërgojnë aplikacionet në tre e-mail zyrtar të KQZ-së, e kjo po sjell dublifikime, raporton Ekonomia Online.
Në këtë mbledhjen u kërkua që të krijohet një grup me përfaqësues nga të gjitha partitë politike që të bashkëpunojnë me Doganën e Kosovës që votat nga jashtë të arrijnë më shpejt në KQZ.
“Propozoj që të diskutojmë për krijimin e një grupi nga të gjitha partitë politike dhe bashkëpunimin me Doganën e Kosovës që më shpejtësi votat të arrijnë në KQZ”, ka thënë anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi.
Ndërsa, anëtari LDK-së, Sami Hamiti tha se ardhja e votave nga jashtë ne zgjedhjet e kaluara ka qenë në rregull.
“Konsideroj që mënyra në kuptimin e ardhjes së votave në vitin 2019 ka qenë shumë në rregull. Ky format është i sigurt dhe asnjë subjekti politik nuk i mohohet e drejta me dërgu vëzhgues atje”, ka thënë Sami Hamiti.
Tutje, kryeshefi Ezekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj tha se aplikimet nga jashtë po dërgohen në tre e-mail të KQZ-së e kjo po sjell probleme.
Ndërsa, deri më tani janë telefonuar mbi 8 mijë votues nga jashtë.
“Jemi në periudhën e shërbimit të votuesve jashtë vendit. Po bëjmë edhe rekrutimin e stafit. Deri më sot janë 14 mijë e 307 aplikacione për votim. 10 e 172 prej tyre janë aprovuar. 68 mijë e-mail të pahapura i kemi deri tash. 2426 janë refuzuar. Aplikuesit po i dërgojnë aplikacionet në 3 e-mail. Pra mund të ketë duplifikime në aplikim. Gjatë procesit të verifikimit do të dihet saktë numri i tyre”, ka thënë Burim Ahmetaj.
“Mbi 8 mijë votues janë telefonuar. Nuk kemi ndonjë problem teknik. Do të thërrasim disa herë, derisa të marrim verifikimin”, theksoi ai.
“78 për qind e të telefonuar janë përgjigjur me herën e parë”, ka shtuar Sami Hamiti.
Më tej, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka kërkuar që të mos dërgohen në tre e-mail.