Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duhet të pres vendimin e Gjykatës Supreme për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për të publikuar rezultatet e zgjedhjeve, raporton Ekonomia Online.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka konfirmuar se pasi kanë marrë konfirmim se në Gjykatën Supreme është parashtruar një ankesën rezultatet pas procesit të rinumërimit nuk mund t’i publikojnë.
“Kemi marrë konfirmim se në Gjykatën Supreme është parashtruar ankesë ndaj vendimit të një dite më herët të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, prandaj, rezultatet pas procesit të rinumërimit nuk mund t’i publikojmë në këtë fazë”.
Ai ka sqaruar se rezultatet mund të publikohen vetëm pasi që të marrin konfirmim nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim.
“Rezultatet nuk mund të publikohen pa një konfirmim, në këtë rast nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim”.
LVV ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme ku ka kërkuar që të numërohen edhe 392 pako me fletëvotime të ardhura nga diaspora javën e kaluar.