Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) diskutoi për mundësinë e votimit të personave të karantinuar për shkak të infektimit me Covid-19.
Kryetarja Valdete Daka tha se është përgatitur shkresa për IKShPK-në ku kanë kërkuar që të sqarojnë edhe njëherë masat shtesë që duhet marrë në këto zgjedhje për të parandaluar përhapjen e virusit.
Ajo shtoi se në shkresë është edhe pyetja se si do t’ia bëjnë me ata persona që mund të jenë të karantinuar për të mos ua mohuar të drejtën kushtetuese.
“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ia mundësuar të drejtën kushtetuese, por duhet kuptuar se është situatë e jashtëzakonshme”.
Anëtarët e KQZ-së thanë se ky institucion duhet të jep një njoftim se si do të bëhet edhe fushata zgjedhore në këtë kohë kur tubimet janë të ndaluara.
Daka tha se edhe për këtë çështje duhet të presin përgjigjen përfundimtare të organeve kompetente të shëndetësisë.
“E kemi një manual për zbatimin e rregullave për zgjedhje, por ne do të mbesim në kontakt edhe me ministrinë e Shëndetësisë që të na konfirmojë atë manual apo edhe eventualisht ndonjë ndryshim në raport edhe me ditën e zgjedhjeve edhe fushatën”.