KQZ-ja mban mbledhje, nuk diskuton për zgjedhjet që po përmenden në veriun e Kosovës

Prishtinë | 08 Qer 2023 | 14:12 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur të enjten në mesditë, por ky institucion nuk ka diskutuar për zgjedhjet e mundshme që po përmenden se duhet të mbahen në katër komunat e veriut të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ky institucion vetëm para pak kohësh ka përmbyllur procesin zgjedhor në këto komuna, por ngjarjet e fundit në këtë pjesë të Kosovës dhe ngritja e tensioneve, kanë rikthyer çështjen e zgjedhjeve të reja në këto komuna.

Ditë më parë, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se “KQZ-ja si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”.

Ndërkohë, po në këtë mbledhje, KQZ-ja diskutoi shkurt edhe për plotësimin dhe ndryshimit e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Anëtarët e KQZ-së e panë të nevojshme që pas aprovimit të ligjit duhet të ndryshohen edhe rregulloret zgjedhore si legjislacion sekondar.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se deri në muajin shator duhet që të kenë gati të gjitha rregulloret që implikohen nga Ligji për zgjedhjet.

“Nesër mund ta bëjmë një plan të punës për ndryshimin e rregulloreve, eventualisht të hënën dhe përgjatë këtyre dy muajve t’i përfundojmë. Shtatori të mos na gjejë pa rregullore, atëherë vetëm t’i miratojmë ato”.

Ilir Gashi, nga PDK-ja tha se kjo çështje duhet që të jetë prioritet.

“Prioritet kryesor duhet të jetë legjislacioni sekondar, pas miratimit në lexim të parë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”.

“Duhet të rishikohen edhe afatet për rishikimin e rregullave. Deri në qershor do të duhej të përfundonte ky proces, pasi që është diçka që nuk mundet të parashikohet”.

Edhe Sami Kurteshi nga VV-ja e mbështeti propozimin e Gashit, që të bëhet hartimi i rregulloreve të përgjithshëm.

Ibrahim Selmonaj, nga AAK-ja tha se duhet që të ketë kujdes edhe në planifikimin e buxhetit.

“Ligji që sot pritet të aprovohet do të ketë edhe obligime të tjera për planifikimin e buxhetit. Duhet t’i ndajmë prioritetet, e mos t’i mendojmë shumë pushimet”.

Të ngjashme