KQZ-ja mund t’i përballojë edhe një palë zgjedhje, MF-ja thotë se ka buxhet nëse mbahen para prillit

Prishtinë | 25 Dhj 2019 | 10:05 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është i gatshëm që të organizojë edhe një palë zgjedhje, pas atyre të 6 tetorit.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se edhe pse është sfiduese organizimin edhe i një palë zgjedhjeve, duhet të përmbushin këtë obligim kushtetues, nëse kjo u kërkohet.

“Ato janë supozime ne nuk mundemi me ditë, por gjithsesi ne do t’i organizojmë kurdo qofshin ato zgjedhje sepse e kemi obligim kushtetues dhe nuk është në dëshirën e tonë që të vendosim se a do t’i organizojmë apo jo, por gjithsesi është më se sfiduese që të organizohen një pas një zgjedhjet”.

Nëse vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, shteti ka buxhet rezervë, i cili do të mund të shfrytëzohej.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, ka sqaruar për Ekonomia Online se në kuadër të kësaj ministrie ekziston një fond i cili mund të përdoret në rast se vendi mbetet pa Qeveri.

“Ne në ministrinë e  Financave kemi qenë të kujdesshëm dhe kemi prapë një rezervë ne nuk e kemi planifikuar për zgjedhje mirëpo është një rezervë në kuadër të Ministrisë së Financave e cila mund të përdoret edhe në rast se nuk do të kemi Qeveri”.

“… nëse do të vijë puna që të kemi zgjedhje ne prapë e kemi një shumë të alokume në Ministri të Financave, mirëpo duhet të kemi kujdes për arsye se ndarjet buxhetore mund të bëhen deri në muajin mars”.

Por krejt kjo sipas tij, veç nëse zgjedhjet mbahen para muajit prill të vitit të kaluar, ngase bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike nuk lejon asnjë pagesë të brendshme, përveç ndonjë borxhi publik.

“Në muajt e parë janar dhe shkurt me automatizëm impementohet Ligji i Buxhetit të vitit 2019, gjithmonë them nëse nuk kemi një buxhet të aprovuam për vitin 2020, ndërsa në muajin mars Kuvendi i Republikës së Kosovës mund me një vendim edhe për një muaj ta implementoj buxhetin e vitit 2019 mirëpo në prill e tutje nuk do të kemi mundësi ligjore”.

“… për arsye se Ligji i Menaxhimit të Financave Publike është deficit që nuk mund të bëhet asnjë pagesë e brendshme me përjashtim të ndonjë borxhi publik pra nëse nuk kemi buxhet të aprovuar deri në muajin mars që nënkupton për tu implementuar në prill e tutje”.

Në vend u mbajtën zgjedhjet e parakohshme me 6 tetor, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kreut të Qeverisë, pas ftesës për intervistim në Hagë.

Të ngjashme