Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën më 6 tetor, raporton Ekonomia Online.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka bërë të ditur se bashkë me shkresën njoftuese, KQZ-ja i ka bashkangjitur edhe një kopje të rezultateve të certifikuara për subjektet politike dhe kandidatët pjesëmarrës në këto zgjedhje.
Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit.
Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zhvilluar takime për formim të qeverisë së re. Liderët e këtyre dy partive politike janë zotuar se shumë shpejt do të arrijnë marrëveshjen për formimin e Qeverisë.