Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka shqyrtuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati për organizimin e një referendumi konsultativ për reformën në arsim, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, tha se kjo çështje duhet të përcillet në Këshillin për Çështje Ligjore fillimisht e më pas të përcillet për ne mbledhjen e KQZ-së.
“Ka kërkuar që kjo të kalojë në Këshill për Çështje Ligjore”.
Ndërsa kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se kjo çështje nuk është dashtë me u diskutuar fare në KQZ, ngase sipas saj ky institucion nuk është fare kompetencë për çështje të tilla.
“Nuk është dashtë më u vendos, ne nuk kem fare kompetenca të tilla”.
Kastrati, të premten e ka nisur drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë për organizimin e një referendumi konsultativ për reformën në arsim.
“Arsimi është një nga problemet akute dhe prioriteti më i lartë në Kamenicë. Prandaj e konsideroj të domosdoshme që qytetari i komunës sonë të përfshihet drejtpërdrejt në vendimmarrje rreth reformës të cilën duam ta ndërmarrim”.
“Reforma e propozuar është komplekse dhe po të mendoja thjesht si politikan karriere nuk do të kisha asnjë arsye t’i futem kësaj sfide. Por në situatën ku jemi, dhe gjendjen ku është katandisur arsimi dhe në çfarë kushte mësojnë nxënësit; është bërë e pashmangshme”, ka thënë Kastrati përmes Facebook.
“Sakrificat që koha i kërkon prej nesh janë të natyrave të ndryshme. Dikur sakrifica për të ardhmen ishte përpjekje për liri, sot ajo është përkushtim që liria të mos jetë thjesht e kundërta e pushtimit, por ndërtimi i jetës e hapja e perspektives”.