Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) edhe pas më shumë se një orë debat nuk kanë arritur që të merren vesh se çka do të ndodh me 4500 vota të pranuara me vonesë nga diaspora si dhe 3400 të tjera të ardhura nga Serbia, raporton Ekonomia Online.
Besnik Buzhala, zëvendëskryesh i Sekretariatit të KQZ-së, tha se janë pranuar 15 mijë e 794 fletëvotime deri në afatin kohor të rregullt të paraparë për dërgesa.
Ndërsa janë 4 500 vota nga diaspora kanë ardhur pas afatit të paraparë nga 19 shtator deri më 5 tetor.
Ai bëri të ditur se janë 3 mijë e 782 nga Serbia, të supozuar me votime, por që nuk kanë ardhur individualisht dhe mënyra e dërgesës nuk ishte e duhura.
“Ne kemi pranuar deri më 5 tetor 15 794 dërgesa postare. më 6 tetor kemi filluar vlerësimin e pakove. Nga vlerësimi i tyre 15 484 i kemi futur në sistem. Nga Serbia kanë ardhur mbi 3400 zarfe”.
“150 zarfe nga Serbia i kemi verifikuar. 4500 dërgesa postare kanë arritur pas afatit 5 tetor”.
Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga VV-ja, tha se duhet të pranohen ngase vonesat e tyre janë për arsye objektive.
“Kjo është një kategori shumë e qartë dhe duhet të adresohet në raport me rolin që KQZ-ja ka për votuesit. Duhet ta kemi parasysh, që KQZ duhet të kujdeset që të siguroj pjesëmarrjen në zgjedhje të të gjithëve”.
“4500 zarfe sa janë mendoj që KQZ-ja duhet t’i miratojë dhe t’i pranoj për shkak se në aspektin operacionl nuk ka asgjë të parregullt dhe nuk bëhet fjalë për rifillim të operacionit ose operacion i veçantë”.
“Ne si KQZ i kemi pranuar edhe pas ditës së zgjedhjeve me shpjegimin e s’kanë mbërri për shkak të afatit të shkurt, vikendit etj. Nuk bëhet fjalë që nuk e kemi marrë këtë vendim për herë të parë”.
“S’ka asnjë pengesë operacionale, është situatë e veçantë se pengesat janë jashtë kompetencave të votuesve”.
Anëtari i KQZ-së, nga LDK-ja, Sami Hamiti, tha se duhet respektuar ligji edhe në votat e vonuara të diasporës edhe për ato që kanë ardhur paligjshëm nga Serbia.
“Në bazë të ligjit janë të jashtëligjshme, kemi marrë qëndrim që është e jashtëligjshme. Votat nga Serbia totalisht kanë ardhur jashtëligjshëm”.
“Njësia duhet ta zbatojë ligjin në të dy rastet. Asnjë votë nuk do të pranohet që vjen 24 orë para. Kemi marrë vendim për këtë çështje. Votat duhet ta kenë votën nga vijnë. Procedura e ardhjes së tyre nuk është e ligjshme e zarfeve nga Serbia”.
Anëtarit Stefan Veselinoviç nga Lista tha se nuk ka asgjë të kundërligjshme me votat që vijnë nga Serbia.
Iliri Gashi, anëtar i KQZ-së, nga PDK-ja ka kërkuar që të respktohet ligji në të dyja rastet, raporton EO.
“Kemi një vendimmarrje për procedimin e votave të diasporës, ligjin e thotë qartë mënyrën dhe procesin e votimit kur vijnë, kur niset. Ne nuk jemi të interesuar për vendimmarrje që bie ndesh me ligjin”.
“Njësia të respektojë ligjin dhe rregullat, nuk duhet të paragjykojë që ai kontingjent i kujt është, edhe unë kam dy vëllezër dhe nuk e di a ndodhet vota e tyre në këtë kontingjent dhe mbi këtë bazë duhet të respektojmë ligjin që të jemi të sinqertë ndaj bashkatdhetarëve dhe të respektojmë ligjin”.
“Njësia votat që vijnë nga Finlandë të hetohet nga Prokuroria, ngase janë shfaqur video të ndryshme dhe duhet të kemi mbikëqyrje”.
Sërish anëtari i VV-së Adnan Rrushtemi ka sqaruar se dërgesat e ardhura nga Serbia janë të kundërligjshme, duke kërkuar edhe një herë që pranohen votat nga diaspora.
“Nuk duhet t’i krahasojmë këto dy grupe, janë kategori të ndryshëm 4500 dërgesa nga diaspora votues të regjistruar individualisht. Faza e regjistrimit ka qenë e njëjtë. Pse duhet mos me i pranuar 4500 zarfe nga diaspora, thjesht janë vonuar edhe pse datën e nisjes e kanë 19 20 shtator”.
“Nga Serbia dërgesat janë të kundërligjshme nga mënyra si janë sjellë në Kosovë dhe keqpërdorim i zgjedhjeve nga përmbajtja e tyre. Kush i ka sjell ku i kanë vendosur qysh i kanë grumbulluar, kush është votuesi”.
“Të pranohen 4500 dërgesa që kanë ardhur pas afatit e janë në rregull dhe urdhëroj që të verifikohet dh të refuzohen dërgesat që kanë ardhur nga Serbia dhe kështu të përmbyllet operacioni”.
Anëtari nga LDK-ja Sabri Hamiti ka thënë se Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen për telekomunikacionin.
“Ju nuk e kemi respektuar marrëveshjen për post telekomunikacionin tash doni neve me naj lon fajin. për me i qu asht duhet me i qu individualisht, është totalisht e fabrikuar, nuk është mirë që të diskutohet kjo çështje”.
Valdete Daka, ka thënë se votat e dërguara me zarf do të trajtohen sipas ligjit të zbatuar deri tani.
Kështu ka thënë ajo gjatë mbledhjes së radhës që është zhvilluar nga ky komision, duke kërkuar që mos të bëhet presion nga mediet apo partitë politikë.
“Nuk është e drejtë që të kërkohet një përgjigje nga Besniku në këtë moment. Ai e di punën e vet. Ashtu si i ka trajtuar aplikacionet, si i ka analizuar, si i ka refuzuar dhe trajtuar; njësoj do t’i trajtojë edhe zarfet të cilat kanë ardhur”.
“Ashtu do t’i trajtojë edhe ato zarfe sipas ligjit të cilin e ka zbatuar deri tani”.
“Unë kam shumë besim në Besnikun dhe njësinë dhe pres që ndaj të njëjtit mos të bëhet asnjë lloj presoni sepse ai e di punën e tij dhe ne duhet ta lejojmë atë që ta kryejë punën e tij”.
“E kemi edhe një institucion tjetër që mund të vendosë pastaj – është PZAP me 10 gjyqtarë që pastaj i trajtojnë ato ankesa. Pas asaj e kemi edhe Gjykatën Supreme në fund.
Edhe Nazlie Bala nga VV-ja ka këruar që të pranohen votat nga diaspora , por jo ato nga Serbia, raporton EO.
“…nuk është KQZ për hajgare, Kushtetuta e garanton respektimin e të drejtave të njeriut. KQZ nuk bëtë të vendos standarde të dyfishta”.
“Me vota të cilat kanë ardhur të rregullta nga mërgata sepse si KQZ u kemi bë thirrje që ti respektojnë këto rregulla. Nga Serbia janë të jashtëligjshme, mos të përdorim standarde të dyfishta”.
Daka në fund të mbledhjes ka kërkuar edhe një herë që të lihet që zyra të kryej punën sipas ligjit.