​KQZ: Mbi 15 mijë votues më shumë në listën e votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit

Prishtinë | 22 Maj 2026 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit është 2 milionë e 92 mijë e 174 votues.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai tha se në këto zgjedhje janë mbi 15 mijë votues më shumë në listën e votuesve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën e votuesve, e cila pra do të përdoret për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2 milionë e 92 mijë e 174 votues, çka do të thotë se kjo listë përmban 15 mijë e 884 votues më shumë se lista e votuesve e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

Sipas tij, nga numri i përgjithshëm i votuesve, 1 milion e 959 mijë e 962 qytetarë do të votojnë në vendvotime në Kosovë, ndërsa 132 mijë e 212 shtetas janë regjistruar për votim jashtë vendit.

“Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, pra në Republikën e Kosovës me datë 7 qershor është 1 milion e 959 mijë e962 votues, ndërkaq numri i shtetasve të Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës është 132 mijë e 212 votues. Nga ky numër i votuesve jashtë Kosovës, 100 mijë e 970 janë regjistruar për të votuar duke dërguar pakon me fletëvotim në adresë të kutisë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, pastaj pjesa tjetër 3 mijë e 518 për të dërguar pakon me fletëvotim në adresë të kutisë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 27 mijë e 724 votues apo shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi të diplomatike”, tha ai.Ai njoftoi gjithashtu se 22 mijë e 685 qytetarë do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 7 qershorit.

“Numri i votuesve, të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është 22 mijë e 685 votues, prej të cilëve 16 mijë e 934 janë votues që konsiderohen të rinj, pra që pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të datës 28 dhjetor kanë arritur moshën 18-vjeçare, pra që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e radhës të datës 7 qershor dhe 5 mijë e 751 votues të tjerë, të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil mes dy palë zgjedhjesh ose janë votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës”, tha Elezi.

Të ngjashme