Mesditën e sotme, në orën 12:00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri do të rikthehet në punë, për të vendosur për mandatet e deputetëve Aqif Rakipi i PDIU-së dhe Gledion Rehovica i LSI-së, për të cilët prokuroria ka kërkuar heqjen e mandatit për shkak se kanë gënjyer në formularin e dekriminalizimit për vepra penale për të cilat janë hetuar në Itali.
Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thuhet se shenjat e gishtërinjve të deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi provuan se në vitin 1998 kur jetonte ne Itali, përdorte emrin Skënder Ejylbegaj.
Më 3 nëntor të atij viti është raportuar ne Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Emrin Skënder Ejylbegaj, regjistruar në një vit tjetër lindjeje, Aqif Rakipi e përdorte që prej vitit 1996.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe deputeti Gledion Rehovica. Shenjat e gishtërinjve treguan se ai është raportuar po në Itali më 24 shkurt 1999 për veprën penale “Vjedhje dyqani”, por me emrin Kusta Mina. Edhe deputeti i LSI-së ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
Prokuroria argumenton se, fakti që në formular nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me ndalimet dhe hetimet përkatëse në shtetin italian, si dhe me identitet të rremë, më të cilët dyshohen se kanë konsumuar veprat penale: përkatësisht Aqif Rakipi të marrjes së mallrave të vjedhur dhe Gledion Rehovica të “vjedhjes së një dyqani” , bën që subjektet të përfshihen në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, raporton TCH.