KQZ me plan konkret për adresimin e rekomandimeve të Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve nga BE-ja për Zgjedhjet Lokale 2021

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 15:00 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës dhe mori vendim për miratimin e planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve nga Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian për Zgjedhjet Lokale 2021, raporton Ekonomia Online.

Dokumenti në fjalë u prezantua nga anëtari, Arianit Elshani, i cili tha se për disa çështje duhen ndryshime ligjore, por për disa të tjera mund të bëhen me ndryshimin e Rregullave Zgjedhore të KQZ-së.

“Numër më i ulët i botimit me asistence krahas vitit 2017 dhe 2019 është më i ulët”, Këto statistika të shprehura më shumë në zonën rurale. Kryesisht kjo formë është përdorur për gra, burrat zakonisht kanë asistuar më shumë gratë vërehet një fenomen negativ, mund të jenë arsye të ndryshme, për të favorizuar subjekte apo një far lloj seksizmi të shprehur në gra”.

“Rekomandimet janë të qarta duhet të vazhdojmë ashtu siç kemi kërkuar që ato rregulla të përfshijnë atë që të merren numrat e identifikimit për personat që asistojnë”, tha Elshani.

Në mesin e rekomandimeve të BE-së është që të modernizohet metoda e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, për shembull, përmes një vegëze (link) në ueb faqen e KQZ-së me masa të sigurisë, siç është verifikimi me dy hapa i aplikuesve, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja nga mashtrimi dhe nga paraqitja e personave në emër të dikujt tjetër.

Në planin e veprimit të miratuar nga KQZ-ja parashihet që të rishikohet dhe plotësohet Rregulla Zgjedhore e KQZ-së për Votimin Jashtë Kosovës në lidhje me aplikimin e masave shtesë për verifikimin e votuesve jashtë Kosovës.

Këto ndryshime do të bëhen me qëllim të mbrojtjes së integritetit të votimit jashtë Kosovës kundër mashtrimit dhe paraqitjes së rreme si person tjetër dhe të krijohet aplikacioni për regjistrim online për votuesit jashtë Kosovës.

Pjesë e rekomandimeve të vëzhguesve të BE-së ndërlidhen edhe me fushatën zgjedhore të subjekteve politike dhe kandidatëve. Vëzhguesit e BE-së kanë kërkuar që të zhvillohen masa për të zbatuar kufizimet e periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore për raundin e dytë ose të lejohet që fushata të fillojë menjëherë pas raundit të parë. Për të zbatuar këtë rekomandim, KQZ-ja pritet të rishikojë dhe plotësojë Rregullën Zgjedhore për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune.

KQZ-së i është rekomanduar edhe ridizajnimi i fletëvotimeve të Zgjedhjeve për Kuvende Komunale, për të qenë më mirë të kuptueshme nga votuesit si dhe të shtohen informacione se si duhet të plotësojnë fletëvotimin, në mënyrë që të zvogëlohet numrimi i votave të pavlefshme. Për të zbatuar këtë rekomandim, KQZ-ja do të ndryshojë dhe plotësojë Rregullën Zgjedhore për fletëvotimet dhe broshurat.

Po ashtu, pas Zgjedhjeve Lokale 2021, Vëzhguesit e Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian kanë rekomanduar që KQZ-ja të krijojë një pozitë administrative jopartiake e sekretariatit të Këshillit të Vendvotimit për të ofruar këshilla dhe asistencë të nevojshme për KVV-të në mënyrë që të përmirësohet efikasisteti dhe performanca e tyre. Sipas KQZ-së, që ky rekomandim të zbatohet, fillimisht duhet të plotësohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe për Zgjedhjet Lokale dhe pastaj të ndryshohet Rregulla Zgjedhore e KQZ-së për Këshillat e Vendvotimeve.

Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është parë i nevojshëm para se KQZ-ja të mund ta përfshijë në Rregulla Zgjedhore edhe çështjen e reklamave zgjedhore në platformat online, pasi kjo është kërkuar nga Vëzhguesit e Zgjedhjeve të BE-së.

Të ngjashme