Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e radhës mori vendim që të filloj numërimi i 12 mijë votave me kusht, ku përfshihen votat me postë dhe të atyre me nevoja të veçanta.
Rinumërimi i votave në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR), do të filloj në orën 14:00, raporton Ekonomia Online.
Gjithashtu vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për të çuar në rinumërim Prishtinën e Prizrenit, u miratua me shumicë votash në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se do të bëhet rinumërimi i plotë i votave në Prishtinë, e Prizren. Ndërsa i pjesshëm në Dragash 35 vendvotime e Rahovec 3 vendvotime.
Anëtari i Vetëvendosjes në (KQZ), Adnan Rrustemi tha se vendimi i PZAP-it, e suspendon vendimin e qytetarëve.
Rrustemi tha se në asnjë vendvotim në Prishtinë e Prizren, nuk ka pasur vërejtje nga partitë politike as në ditën e votimit, as të numërimit të votave.
“Kërkoj nga (QNR) që të vazhdoj numërimin e votave me kusht qysh e kanë planifikua. Si ka mundësi me ditë parregullsi të votave që s’janë hap e s’janë numëruar. Kërkojmë të mos hyjë në rend dite kjo pikë”, tha Rrustemi.
Ndërsa kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka i tha Rrustemit që nuk ka nevojë të bëhet presion.
Rrustemi ka replikuar duke thënë se vendimi i PZAP-it është krejtësisht politik.
Ndërsa, Ilir Gashi tha se vendimi i PZAP-it të hyj në rend dite.
“Jam pro këtij vendimi dhe të vazhdojmë tutje më rinumërim”.
Pro vendimit të PZAP-it ishte edhe Sami Hamiti i LDK-së në KQZ.
“Për vendimet që i ka marrë PZAP absolutisht ne nuk duhet të ndërhyjmë. Le të vërtetohet le të legjitimohet. Kjo është shumë mirë edhe për subjektin VV-së”.
PDK: Askush nuk ka nevojë t’i frikësohet transparencës
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Betim Gjoshi tha se trasnparenca është standard i kënaqshëm, ndonëse mund të ketë pakënaqësi për rezultatin.
“Ne nuk mund të punojm me emocione dhe është mirë me pas një agjend të përhershme të punës. Ne i kemi disa rezultate, për mu pa transaprenca dhe mundësia se çfarë ka ndodhur. Mund të jemi të paknaqur me rezultatin por kjo transaprence është standard i kënaqeshëm. Asnjëherë prej që jam këtu nuk ka pasur rinumrim të votave me kusht”, tha Gjoshi.
Qendra e Numërimit të Rezultateve do të filloj numërimin e votave me kusht, me postë e të personave me nevoja të veçanta. Ndërsa, rinumërimi sipas vendimeve të PZAP-it do të fillojë pas kompletimit të numërimit të votave me kusht.