Në mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarja Valdete Daka tha se do të kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë që të hiqet ora policore në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut në ditën e zgjedhjeve, raporton Ekonomia Online.
“Meqenëse pas orës 7 nuk lejohet lëvizja në Podujevë pasi që janë në zonë të kuqe, duhet me bisedu me MSh-në që pas orës 7 të ju lejohet lëvizja. Kemi vëzhgues e media. Duhet të bëjmë kërkesë në ministri që të hiqet ora policore” ka thënë Daka.
Ndërsa, Burim Ahmetaj nga Sekretariati i KQZ-së, tha se kanë siguruar 50 mantele mbrojtëse nga Ministria e Shëndetësisë për ekipet mobile.
“Është përfunduar periudha e regjistrimit të votuesve përmes postës. Kemi marrë masat në aspektin e sigurisë së materialit të ndjeshëm. Format zgjedhore janë në proces të printimit të tyre. Jemi në procesin e personave të ngujuar për shkak të infektimit me Covid 19. Janë siguruar 50 mantele mbrojtëse nga Ministria e Shëndetësisë për ekipet mobile”, tha Burim Ahmetaj i KQZ-së.
Në anën tjetër, Ylli Buleshaj nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike tha se pasur numër të madh të interesuarve për të vëzhguar zgjedhje.
“Kemi 31 vëzhgues të medieve vendore dhe 4 nga ato ndërkombëtare. Ka pasur numër të madh të interesuarve për të vëzhguar zgjedhje 1665 gjithsej nga ta 1174 të partive politike 338 të OJQ-ve 13 të tjerë dhe 132 nga mediet vendore dhe 8 nga ato ndërkombëtare. U vendos të akreditohen të gjithë këta vëzhgues”, tha Buleshaj.
Tutje, Arianit Elshani nga Këshilli për Çështje Ligjore dhe Këshilli Mbikëqyrës për Informim Publik, tha kanë bërë një video informuese lidhur me masat mbrojtëse të Covid 19, ku edhe është paraparë se si do të bëhet votimi brenda te personat e infektuar.
“Monitorimi i procesit zgjedhore në ditën e zgjedhjeve ka një plan operacional dhe janë dhënë rekomandimet tona. Udhëzimi administrativ do të jetë për këto dy komuna që duhet të jetë i vlefshëm edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve”, deklaroi Elshani
“Kemi bërë një video spot informues lidhur me masat mbrojtëse të Covid 19 ku e kemi paraparë se si do të bëhet votimi brenda te personat e infektuar. Kanë filluar të shfaqet ky sport në rrjete sociale dhe në radio lokale”, shtoi ai.