Shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit do të tërhiqet , nesër (e hënë), raporton Ekonomia Online.
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë për EO se shorti për renditjen do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 11:00.
“Ju njoftoj se shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbahet ditën e hënë, më 6 janar 2025, duke filluar prej orës 11:00”, tha ai.
Sipas Elezit tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, do të bëhet duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike dhe transparencë të plotë.
Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim i paraprinë aktiviteteve zgjedhore, siç është miratimi i përmbajtjes së dizajnit dhe fletëvotimit të zgjedhjeve.
Pasi KQZ të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, ndërkaq më 11 janar subjektet politike do të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është: 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.