Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka shpallur rezultatet përfundimtare për kryetarë të komunave.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka prezantuar përqindjen dhe numrin e votave që kanë marrë kandidatët e zgjedhjeve lokale nëpër të gjitha komunat e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Daka bëri të ditur se raundi i dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahet më 19 nëntor në 19 komuna (Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishëve dhe Kllokot).
Kryetarja Daka njoftoi se KQZ-ja shpallë këto rezultate pas konfirmimeve të pranuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.
Ajo ka sqaruar se në raundin e dytë të drejtë vote kanë 1 milion e 353 mijë e 613 votues, raporton Ekonomia Online.
“Raundi i dyte do të mbahet në 19 komuna më 19 nëntor. Në këtë raund të drejtë vote kanë 1 milion e 353 mijë e 613 votues. Numri i qendrave të votimit në të cilat do të votohet është 614 me gjithsejtë 1 mijë e 777 vendvotime”, tha ajo.
Sa i përket numrit të fletëvotimeve te pavlefshme ajo ka thënë se këtë herë nuk ka pasur shumë dhe se votat asambleja komunale rezultatet do të jenë ditëve në vazhdim.
Gjithashtu, kryetarja e KQZ-së bëri të ditur se duke filluar nga momenti i shpalljes, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në një afat brenda 24 orësh.
Zgjedhjet lokale u mbajtën më 22 tetor, ndërsa balotazhi pritet të mbahet më 19 nëntor.