13 ditë pas ditës së zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 12 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur të shpall rezultatet përufndimtare të zgjedhjeve për kryetarë të 35 komunave të ndryshme të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se të shtunën do të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për 35 komuna të vendit, të mbajtura më 12 tetor.
Ai bëri të ditur se në tri komuna – Prishtinë, Junik dhe Mamusha – procedurat ende nuk janë përfunduar për shkak të ankesave që po shqyrtohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Sipas Radoniqit, pas përfundimit të këtyre proceseve dhe mundësive ligjore për ankesë në Gjykatën Supreme, KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare edhe për këto tri komuna.
“KQZ-ja ka komunikuar me PZAP-në dhe nga ky institucion kemi marrë konfirmim se nuk ka ankesa aktive lidhur me zgjedhjet për kryetarë komunash për shumicën e komunave, përveç Komunës së Prishtinës, Junikut dhe Mamushës. Këto ankesa janë në trajtim e sipër, andaj KQZ-ja sot do të bëjë shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve për 35 komunat e tjera, ndërsa për tri komunat e mbetura shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet në vijim, pasi të konsumohen të gjitha mundësitë për paraqitjen e ankesave edhe në Gjykatën Supreme,” ka thënë Radoniqi.
Komunat të cilat KQZ shpalli rezultatin përfundimtar janë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prizren, Skënderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Për këto rezultate të shpallura, subjektet politike dhe kandidatët kanë afat 48 orë për të parashtruar ankesat e tyre eventuale në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Në rast se ky institucion hedhë poshtë ankesën e një pale, e njëjta mund të vazhdojë procesin ankimues në Gjykatën Supreme.
Vetëm pasi të pëfundojë periudha e ankesave dhe vendosja për to nga PZAP, KQZ mund të certifikojë rezultatet përfundimtare.
Sipas rezultateve preliminare nga këto 35 komuna, rezultatin e të cilave e shpalli KQZ, në 15 komuna do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune. Po sipas rezultateve të cilat janë të publikuara deri më tani në platformën online të KQZ-së, gjithashtu edhe Prishtina, Mamusha dhe Juniku, janë në mesin e komunave me rezultatin që i bën pjesë të balotazhit.
Në këtë mbledhje nuk u tregua as kur do të shpallen rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Në mbledhjet e kaluara të KQZ-së është përmendur fakti se në PZAP ka një numër të madh ankesash që janë duke u shqyruar nga kandidatë të shumtë.