Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se zgjedhjet në Podujevë do të mbahen siç është planifikuar – këtë të diel, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për medie, ka thënë se kanë komunikuar me MSh-në që të këshillohet për masa specifike shëndetësore në ditën e zgjedhjeve të 15 marsit.
“Pas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me institucionet përgjegjëse lidhur me masat që duhet të ndërmerren nga KQZ-ja si institucion që organizon zgjedhjet. Ne kemi kërkuar një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që të na këshillojnë nëse KQZ-ja duhet të ndërmarrë ndonjë masë urgjente mbrojtëse specifike shëndetësore në ditën e zgjedhjeve më 15 mars 2020”.
“Gjatë ditës ne kemi pranuar disa rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, të cilat duhet të ndërmerren gjatë ditës së votimit në qendrat e votimit dhe në vendvotime. Pra, këto rekomandime/udhëzime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i përcjellë te menaxheret e qendrave të votimit, anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe te stafi tjetër që do të angazhohet në këto zgjedhje”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon subjektet politike që të sillen koonform masave, kufizimeve të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sa i përket çështjes së tubimeve publike, tha Elezi.