Në fshatin Kramovik të Rahovecit u inaugurua ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.
Në këtë ngjarje morën pjesë Fatmir Matoshi, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Ulrika Richardson, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së; Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit, etj.
Ky impiant është i pari i ndërtuar në këtë mënyrë në Kosovë dhe ka për qëllim mbrojtjen e cilësisë së ujit të lumit Drin, përmes prezantimit të teknologjive kost-efektive dhe inovative, veçanërisht në zonat që nuk kanë qasje në impiantet urbane për trajtimin e ujërave të zeza.
Përfaqësuesja e UNDP-së Ulirika Richardson tha se Komuna e Rahovecit është qytet që ka ndikim në lumenj, raporton Ekonomia Online.
Richardson tha se projekti ka shumë rëndësi për ruajtjen e ambientit dhe të ujërave të pastër.
“Jam e lumtur që kam pasur mundësi të jem në këtë ceremoni. Në makinë gjatë rrugëtimit dëgjova mjaft shumë për rëndësinë që ka lumi Drin. Unë e kuptoj që ky është një fshat që ka ndikimin e tij në lumenj. Njëkohësisht kuptojmë që dëmet që i janë bërë mjedisit janë të vështira për t’u përmirësuar”.
“Uji si një domosdoshmëri globale është një resurs i çmueshëm që nuk njeh kufij. Jam e lumtur që ekziston një trup koordinues që kalon përgjatë lumit Drin. Nëse nuk e kemi përfshirjen lokale është e vështirë të sigurohemi se do kemi rezultate të qëndrueshme të këtij projekti”.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se nisjet e projekteve të mëdha janë falë angazhimit dhe bashkëpunimit të donatorëve ndërkombëtarë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, projekti ka rëndësi të madhe për ruajtjen e mjedisit, të florës e të faunës.
“Falë bashkëpunimit mes institucioneve të vendit dhe donatorëve ndërkombëtarë, Kosova po rezulton me sukses në projekte të mëdha. Impiantet për trajtimin e ujërave të zeza janë bazë për një mjedis të pastër. Ky projekt ka një rëndësi të madhe për ruajtjen e mjedisit si dhe florës e faunës”.
E kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, bëri të ditur se përfitues nga ky projekt do të jenë 66% e qytetarëve të kësaj komune.
“Nga fshati Kramovik përfitues do të jenë 66% e popullsisë. Për ne është më rëndësi se ky projekt ka gjetë zbatim në këtë fshat. Natyrisht që presim që këto punë të mira të vazhdojnë edhe në vendbanime e tjera që të kemi mjedis të pastër dhe ujëra cilësore.
Latifi tha se Komuna e Rahovecit ka nevojë edhe për impiante të tjera.
“Ne kemi nevojë edhe për impiante të tjera. Unë besoj që MMPH-ja dëshmon përkushtimin e ministrisë që në të ardhmen e afërt të vazhdojmë edhe ndërtimin e impianteve të tjera”.
Ky projekt është financuar nga Fondi Global i Mjedisit-GEF dhe është implementuar nga UNDP.