Vendgjuetia e Blinajës është një nga vendet më të bukura dhe të mbrojtura në Kosovë dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të investojë edhe më shumë që ta shndërroje këtë vend një atraksion për vizita të ndryshme nga turizmi i organizuar.
Kështu tha sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi gjatë vizitës që bëri në parkun dhe vendgjuetinë e Blinajës, që shtrihet në mes tri komunave; Lipjanit, Drenasit dhe Malishevës.
Ai ka parë nga afër edhe renovimet që janë bërë në qendrat protokollare të parkut, të cilat janë ndërtuar vite me parë, dhe tash po rinovohen nga MBPZhR-ja.
Me këtë rast ministri shtoi se do të ndahet buxhet shtesë për të vazhduar renovimet dhe plotësuar edhe më shumë kushtet e mbrojtjes së këtij parku, por edhe për rritje të shfrytëzimit të potencialit të saj ekonomik.
Ai ka përgëzuar të gjithë stafin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës për angazhimin në mbrojtjen e këtij parku por edhe të gjitha pyjeve të Kosovës.
Ministri theksoi se me ligjin e ri për pyjet dhe atë për gjuetinë do të sigurohet një menaxhim më efikas i të dy sektorëve, por edhe do të ofrohen më shumë mundësi për shfrytëzimin e tyre për turizëm.
Blinaja ka një hapësirë prej rreth 3 mijë hektarë, pjesa më e madhe e mbuluar me pyje. Aty gjenden kafshë të egra të rralla, si dhe janë rreth 30 liqene artificiale.