Agjenda legjislative për këtë vit, reformat në sektorë të ndryshëm që ndërlidhen edhe me agjendën integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, dialogu me Serbinë dhe tema të tjera u diskutuan sot në mes të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Shefes e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe deputetët, Elmi Reçica, Blerta Deliu – Kodra dhe Sala Berisha – Shala.
Krasniqi e njoftoi zonjën Apostolova edhe për qëndrimin e PDK-së pro dialogut me Serbinë, me synimin që të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare obligative. Ai gjithashtu theksoi angazhimin e PDK-së për një konsensus të plotë të spektrit politik të Kosovës, rreth dialogut.
Kryetari i Grupit Parlamentar, Memli Krasniqi po ashtu foli edhe për përkushtimin e PDK-së në Kuvend që të ketë angazhim edhe më të madh në reforma të rëndësishme për vendin, si në sundimin e ligjit, ekonomi, arsim e fusha të tjera. Për këtë, theksoi Krasniqi do të ketë bashkëpunim të ngushtë edhe me Bashkimin Evropian dhe partnerë tjerë.