Krasniqi: Draft-marrëveshja për dialogun del përtej Kushtetutës

Prishtinë | 29 Dhj 2018 | 08:13 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar në mungesë të plotë të transparencës që kur ka nisur në vitin 2011.

Edhe tani ende nuk e është e qartë se sa ka ecur përpara marrëveshja përfundimtare e cila duhet të arrihet mes dy palëve, i tha Ekonomia Online, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Krasniqi tha se në raport të udhëheqjes së procesit të dialogut, në Kosovë ka pasur një garë mes partive politike e cila e ka vonuar këtë proces.

“Procesi i dialogut deri tani është zhvilluar në mungesë të plotë të transparencës, edhe tani kur jemi duke biseduar ende nuk e kemi të qartë se sa ka ecur përpara marrëveshja përfundimtare e cila duhet të arrihet mes dy palëve”.

“Dialogu nuk duhet të kthehet në një garë mes institucioneve se kush duhet të udhëheqë me Kosovën në dialog, por duhet të arrihet një marrëveshje ku garantohen të drejtat e Kosovës dhe qytetarëve tonë”, tha Krasniqi.

E për dokumentin e përgatitur nga Qeveria e Kosovës, e njohur si “Draft – marrëveshja gjithëpërfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, Krasniqi tha se është një dokument i cili ka dalë jashtë Kushtetutës së Kosovës, pasi që i jep më shumë kompetenca shteti serb se që do duhej.

“Ka disa momente ku në atë dokument dilet përtej Kushtetutës së Kosovës, duke ofruar edhe kompetenca shtesë për komunitetin serb, por duke ofruar edhe një bashkëpunim me anën e Serbisë, është një dokument që duhet të rishikohet. Pala kosovare duhet ta dijë që duhet shumë mirë të përgatitet për këtë dialog, Kushtetuta e Kosovës nuk duhet të preket, interesi i Kosovës nuk preket, dhe pavarësia jonë nuk duhet të cenohet në asnjë lloj dokumenti”, tha Krasniqi.

Koordinimi mes institucioneve është më se i nevojshëm duhet të transparencë, dhe asnjë ligj nuk duhet ta ndryshojë kushtetutën e Kosovës.

“Takimet duhet të shërbejnë për të ndërtuar këtë bashkërendim, të ketë informacion në mënyrë që ne të evitojmë atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën”.

Për përfshirjen e opozitës në delegacion shtetëror, Krasniqi tha se duhet ende një konsensus i gjerë mes partive politike.

Madje ajo e ftoi këtë delegacion që të jetë më i kujdesshëm rreth temave që do të diskutohen në këtë dialog, të mos cenohet pavarësia e Kosovës si dhe mos të preket integriteti i saj, raporton EO.

“Me votimin e rezolutë së kuvendit të Kosovës u votua një delegacion shtetërorë i cili ende nuk ka arritur të ketë një përbërje të gjerë të partive politike, pra nevoja për një konsensus të gjerë politik ende mbetet. Në rezolutë edhe në projektligjin e miratuar nga qeveria e vendit, delegacioni shtetëror i ka përcaktuar kompetenca e saj, ku kërkon ta udhëheqë procesin e dialogut”.

“…por ne e shohim edhe në projektligj, ku duket nevoja për një bashkërendim mes institucioneve dhe vihet qartazi edhe roli që presidenti Thaçi do ta kenë në proces. Në këtë proces ne duhet të ruajmë integritetin tonë, dhe atë që e kemi ndërtuar tash e 10 vite”, shtoi Krasniqi.

Krasniqi komentoi edhe letrën e presidentit amerikan Donald Trump. Ajo tha se kjo letër përbën një sinjal që procesi i dialogut për fazën përfundimtare tashmë ka filluar si dhe temat kanë filluar të hapen

“Nëse i referohemi letrës së presidentit Trump, mund të nënkuptohet që procesi i dialogut për fazën përfundimtare tashmë ka filluar, temat kanë filluar të hapen, se sa realisht është ecur përpara drejtë kësaj ne ende nuk e dimë”.

 

 

Të ngjashme