Krasniqi fton qytetarët e Kosovës që të blejnë sa më shumë produkte vendore

Prishtinë | 08 Dhj 2022 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka pritur në takim  delegacionin e grupit “Besa-Besë” në krye me udhëheqësin e saj, ndërmarrësin dhe shembullin e shkëlqyeshëm në trajtimin e punëtorëve, Burim Piraj.

Krasniqi në këtë takim ka thënë se ka diskutuar për domosdoshmërinë e vetëdijesimit të qytetarëve për konsumimin e prodhimeve vendore, për bojkotimin e produkteve të Serbisë dhe nevojën e ofrimit të mbështetjes institucionale për bizneset vendore, veçanërisht në këtë periudhë të krizës ekonomike dhe energjetike.

“Është shqetësuese që këtë vit, derisa prodhuesit tanë po ballafaqohen me sfida të ndryshme, importi i mallrave nga Serbia pritet të kaloj një shifër rekorde, mbi 500 milionë euro”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ndër të tjera, i pari i PDK-së ka thënë se kjo parti do të vazhdojë të angazhohet për krijim të kushteve të favorshme për bizneset, në mënyrë të veçantë për prodhuesit e palodhshëm të vendit.

“Produktet e prodhuesve tanë janë më të mirat. Andaj, në këtë fundvit dhe në prag të festave, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të solidarizohen me prodhuesit vendor dhe të blejnë sa më shumë produktet e tyre cilësore”.

Të ngjashme