Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se koalicioni ndërmjet PDK-së, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën tashmë e ka siguruar mbështetjen e nevojshme nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta formuar qeverinë e re të vendit.
“Koalicioni PAN do ta formojë qeverinë dhe mandatari ynë, Ramush Haradinaj, do të jetë kryeministër”, ka thënë Krasniqi për “Epoka e re”.
Ai ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit mund të mbahet javën e ardhshme dhe, sipas tij, s’do të humbet aspak kohë nga seanca konstituive deri tek seanca për votimin e Qeverisë.
Krasniqi nuk ka dashur të tregojë se cilit subjekt i përkasin deputetët që do ta votojnë qeverinë e PAN-it, por ka thënë se shumë shpejt ata do ta bëjnë publike mbështetjen e tyre për Qeverinë Haradinaj.
Sipas Krasniqit, marrëveshja është arritur me deputetë individualisht, meqë koalicioni PAN s’ka mundur të mbetet peng i inateve të dy partive që kanë refuzuar ftesat e takimit me Haradinajn.