Nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha në seancën plenare ku po diskutohet programi qeveritar se është hera e parë që Kuvendi trajton një program qeverie i cili nuk përmban synime e objektiva konkrete e të matshme, raporton Ekonomia Online.
“I keni sjellë këtu 60 faqe, të shkruara për gati 60 ditë qeverisje, pra e keni përgatitur mesatarisht 1 faqe tekst në ditë, duke e pasë një kabinet qeverisës me gati 20 anëtarë e qindra këshilltarë. Dhe s’do të ishte problem sikur këto faqe të prezentonin një vizion të qartë qeverisës për një mandat të plotë, e që për fat të keq nuk e ofrojnë”, tha Krasniqi.
Ai tha se programi i qeverisë Kurti 2 shpërfaq mungesën e kompetencës, të koherencës, por edhe të mbamendjes institucionale.
Krasniqi tha se në 20 mijë fjalë të programit qeverisës të Albin Kurtit, askund nuk figurojnë fjalët ‘veteran’, ‘invalid i luftës’, ‘i burgosur politik’, ‘persona të pagjetur’ e as fjala ‘dëshmor’.
“Së paku, nuk kam pritur që Programit tuaj do t’i mungojë bazamenti ideologjik, por ky program është një mishmash ideologjik. Në fakt, programi i juaj nuk ka as një qasje pragmatiste, që rëndom është azili i qeverive pa një koncept të qartë ideopolitik. Dhe kjo vërtetë është befasuese kur vjen nga një Kryeministër me bindje të qarta majtiste”, tha Krasniqi.
Ai tutje tha se programi qeveritar nuk përmbanë asnjë indikator ekonomik, vizion e as planifikim.
“Ju nuk keni planifikuar thuaja asgjë konkrete as për mbështetjen e sektorit privat që është dërmuar nga pandemia. Nuk keni përmenduar asgjë konkrete për masat stimuluese e mbështetëse për bizneset që kanë pësuar, as në sektorët e gastronomisë, të hotelierisë, të ndërtimtarisë apo të shërbimeve. Nuk keni planifikuar as ndërtim të shkollave e të spitaleve. As për Spitalin e Prishtinës nuk keni thënë asgjë, projektin për të cilin e keni të gatshëm”, tha Krasniqi.
“Nuk keni bërë asnjë plan për vazhdimin e ndërtimit të shtëpive për shqiptarët e zhvendosur dhunshëm nga veriu i Mitrovicës. Por, po ashtu duket se keni hequr dorë edhe nga rishikimi i demarkacionit me Malin e Zi, ashtu siç e parasheh Ligji i miratuar nga ky Kuvend. Pse, z.Kryeministër nuk e keni në program asnjë fjalë as për Çakorrin, as për Zhlepin. E kur thoni se ky program është derivat i programit tuaj zgjedhor, vetëm një shembull po ua përmend: ju e keni larguar nga programi funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës, për të cilin keni dhënë premtime elektorale. Dhe, shembuj të tjerë të ngjashëm ka mjaft”, tha Krasniqi.
Ai tha se ka sektorë të cilët nuk janë trajtuar fare në program, por edhe aty ku ka disa plane, më shumë janë ngritur pyetje se që janë ofruar përgjigje.
“Ta zëmë, në sektorin e kulturës, keni planifikuar themelimin e institucioneve të reja të nivelit kombëtar, shprehimisht Teatrin e Ri Kombëtar, Teatrin e Operas dhe Baletit, Muzeun e Artit Bashkëkohor. Përtej dëshirave, si do të bëhen këto? A do ta shuani Teatrin Kombëtar të Kosovës? A do ta shuani Baletin Kombëtar dhe Filharmoninë e Kosovës? Ku do të jetë ndërtesa e Muzeut të Artit Bashkëkohor? Tutje, Fondi Kulturor i projektuar në bashkëpunim me skenën e pavarur kulturore, që është një ide shumë e mirë, a do të ketë fonde të reja financiare apo do të jetë zëvendësim i fondeve ekzistuese të MKRS-së?”, tha Krasniqi.
Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha po ashtu se në mbi 20 mijë fjalë të programit qeveritar të Albin Kurtit, as edhe një herë nuk është përmendur togfjalëshi “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
“Në programin tuaj askund nuk figurojnë fjalët ‘veteran’, ‘invalid i luftës’, ‘i burgosur politik’, ‘persona të pagjetur’ e as fjala ‘dëshmor’. Nëse për asgjë tjetër, nëse jo për mbështetjen përmes skemave pensionale, këto kategori do të duhej të figuronin në programin e qeverisë, së paku për ta treguar respektin që do të duhej ta kishte secila qeveri për ta. Z. kryeministër, ju kam thënë që pritjet prej jush i kam zero, por sinqerisht ky dokument është edhe nën këto pritje. Në rastin më të mirë, ky mund të ishte një temë diplome i një studenti mbi-mesatar në studime themelore në Universitetin e Prishtinës, por në fakt është pasqyra e kompetencës dhe nivelit nën-mesatar të kësaj qeverie. Dhe askush e as ju duke dalë aty për t’u arsyetuar nuk mund të më bindni se ju vërtetë mburreni dhe jeni të kënaqur me këtë dokument”, tha Krasniqi.