Krasniqi kërkon hetim të pavarur për incidentin ku u lënduan minatorët

Prishtinë | 18 Jan 2024 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se lëndimi i minatorëve në minierën në Stantërg kërkon përgjegjësi dhe se për këtë rast duhet të zhvillohet një hetim i pavarur.

“Ngjarja e rëndë në minierën e Stantërgut, ku 12 punëtorë të Trepçës kanë marrë lëndime, është shqetësuese dhe kërkon përgjegjësi. Është e domosdoshme të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë ngjarje e cila ka mundur të përfundoj me fatalitet”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Derisa u ka dëshiruar shërim të shpejtë minatorëve të lënduar, Krasniqi ka akuzuar Qeverinë për mungesë të trajtimit adekuat të kërkesave të minatorëve.

“Punëtorëve të lënduar ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe mbështetje të plotë në këtë moment të vështirë për ta. Përkundër kërkesave të vazhdueshme ndaj Qeverisë aktuale, minatorët e Trepçës kanë përjetuar mungesën e trajtimit adekuat. Qeveria e Kosovës duhet të dëgjoj kërkesat e minatorëve dhe duhet të ndërmarrë veprime urgjente dhe konkrete për të garantuar kushte më të mira dhe siguri në vendin e punës”, ka shkruar Krasniqi.

Në një incident që ka ndodhur të mërkurën në minierën e Stantërgut janë lënduar 13 minatorë, dy prej të cilëve kanë marr lëndime më të rënda.

Që të gjithë kanë pranuar tretman në Spitalin e Mitrovicës.

Të ngjashme