Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë përgjegjës koalicionin qeverisës se nuk po kanë vullnet dhe dëshirë ta miratojnë pakon e rimëkëmbjes ekonomike për t’i mbështetur qytetarët dhe bizneset në kohë pandemie.
Ai tha se janë bërë tash gati 6 muaj që PDK ka propozuar pakon ekonomike e cila ndihmon secilin punëtor të sektorit privat me paga prej 300 euri, ndihmë konkrete gjitha bizneseve për qira, mbështetje për gjitha kategoritë sociale, por siç tha Krasniqi koalicioni qeverisës as nuk i ka votat për propozimet shterpe që i ka e as nuk po e mbështetë pakon ekonomike të iniciuar nga PDK.
“Deputetët e koalicionit qeveritar me sa po shihet nuk duan ta votojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike. Nuk ju interesojnë qytetarët. Nuk po e di a janë kundër qeverisë së tyre apo nuk kanë vullnet për të miratuar ligje për ti ndihmuar qytetarët”, tha Krasniqi.
Ai i ftoi sërish deputetët e koalicionit që ta mbështesin propozimin e PDK-së për rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe qytetarët të marrin mbështetjen e duhur.
“Koalicioni qeveritar po i mashtron qytetarët me pako duke përmendur vetëm 10 përqind të TRUST. Hajde sot po e votojmë këtë pikë dhe po ua mundësojmë qytetarëve jo 10 por edhe 20 përqind të mjeteve të TRUST. Por ju nuk po dëshironi të ndihmoni qytetarët por të bëni politikë duke i mashtruar”, tha Krasniqi.