Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, tha se seanca për votëbesimit të Qeverisë ka ardhur pas vetë-dorëzimit të kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë përballë sfidave që ka vendi ynë.
“Pra, nuk mund të kishte një fund tjetër një Qeveri dhe një Kryeministër, që për një kohë kaq të shkurtër e rrezikuan skajshmërisht aleancat më jetike për Kosovën, që dështuan të ofrojnë një program zhvillimi për pritjet e qytetarëve dhe që krijuan aq shumë kundërthënie brenda vetes për një periudhë të shkurtër”, tha Krasniqi, duke konfirmuar se PDK do ta votojë rrëzimin e Qeverisë.
“Partia Demokratike e Kosovës do të votojë pro mocionit të mosbesimit, jo vetëm sepse është në krye të opozitës dhe përshkrimi i natyrshëm i punës së çdo opozite të një vendi demokratik është që t’ia shkurtoj sa më shumë jetën qeverisë, por edhe sepse me të vërtetë kjo ka qenë qeveria më e paaftë e historisë së demokracisë së Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejtë”, tha Krasniqi.
Deklarata e plotë e nënkryetarit Memli Krasniqi:
Të nderuar qytetarë,
Që në zanafillën e vetë, koalicioni qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së e ka dëshmuar papërgjegjësinë ndaj vendit dhe paaftësinë për të qeverisur në mënyrë normale, filimisht me vonesën e tejzgjatur prej 119 ditëve për ta formuar qeverinë, duke e mbajtur të paralizuar jetën institucionale të shtetit dhe duke e penguar rrjedhën normale të zhvillimit në vend. Kjo zvarritje ishte edhe dëshmia e parë e mashtrimit të drejtëpërdrejtë që këto dy parti i bënë elektoratit të tyre pasi i kishin premtuar qeveri brenda 72 orësh mbi baza parimore, ndërsa u katandisën në katër muaj vonesë dhe në një pazar joparimor për poste dhe pushtet.
Ky kryeministër e kjo qeveri nuk meritojnë të qeverisë Republikën e Kosovës, sepse që në orët e para të marrëveshjes filluan të nëpërkëmbin ligjet dhe institucionet e shtetit, duke bërë një thirrje klandestine dhe pa paralajmërim të seancës për ta zgjedhur pa praninë e opozitës Kryetaren e re të Kuvendit të Kosovës. Kjo fyerje e institucionit më të lartë në vend u shndërrua në traditë prej kësaj shumice aktuale, nëpërmjet edhe të kontrabandimit me procedurë të përshpejtuar të buxhetit të qeverisë para pak ditësh, në një seancë tjetër që sërish përjashtoi opozitën nga procesi.
Në kohën më të ndjeshme për Kosovës, Qeveria në vend se të rimëkëmbte marrëdhëniet e lënduara me SHBA-të, ajo përkundrazi nxiti dhe orkestroi një frymë anti-amerikane përmes neglizhimit të qëllimshëm të rekomandimeve amerikane dhe përmes diskursit kundërshtues e perçarës ndaj SHBA-ve, përmes militantëve partiakë.
Kjo edhe solli sanksionimet formale nga aleati ynë më i rëndësishëm, si në rastin e pezullimit të fondeve prej 200 milionë eurosh nga projektet e Korporatës së Sfidave të Mijëvjecarit. Njejtë, kjo qasje e Kryeministrit bëri që një kompani amerikane të tërhiqet nga investimi më i madh në historinë e Kosovës, duke rrezikuar kështu sigurinë energjetike të vendit tonë dhe duke humbur me mijëra vende pune.
Në anën tjetër, si qytetarë dhe si shtet, jemi duke u përballë me situatën më të rëndë që nga paslufta, me pandeminë globale të virusit COVID-19.
Gjatë këtyre ditëve, të gjithë ne kemi pasë nevojë për kujdesin e shtuar të Qeverisë dhe të institucioneve përgjegjëse, për t’u dhënë më shumë siguri dhe shpresë qytetarëve tanë se kjo sfidë e rëndë do të kalojë dhe se shteti do të ketë në fokus prioritar interesin dhe nevojat e qytetarëve.
Dhe cka morem si përgjigje në vend të kësaj?
Në kulmin e izolimit dhe bllokimit të jetës së qytetarëve, Qeveria e krijoi një krizë të re! Thua se nuk mjaftonte kriza kaq e rëndë, partnerët e koalicionit qeverisës krijuan krizë mbi krizë, që vetëm mund të shtojë pasigurinë edhe më shumë.
Në kohën e një ankthi kolektiv të ballafaqimit me pandeminë, kur familjet tona janë të shqetësuara për fatin e secilit, të humbet arsyeja dhe të krijohet krizë për hesape personale dhe partiake, është më tepër se papërgjegjësi institucionale.
Në kohën kur shumica e qytetarëve janë të ngujuar nëpër shtëpi, kur kemi komuna e fshatra të tëra në karantinë, në vend se të punohet për t’iu ardhur në ndihmë atyre, Kryeministri dhe partneri i tij gjetën kohë për të qëruar hesape politike.
Të nderuar deputetë,
Sot, me të drejtë, çdo qytetar i Republikës së Kosovës është i revoltuar me politikën.
Kur e kërkojmë besimin e qytetarëve në zgjedhje, ne e marrim atë për të udhëhequr edhe kur është kohë krize dhe jo vetëm kur është lehtë. Dhe në kohë krizash, përgjegjësia e politikanëve nuk duhet të jetë vetëm partiake. E sidomos jo e atyre që udhëheqin me vendin.
Por, pikërisht në ktë kohë pasigurie, partnerët e koalicionit qeverisës po e rrëzojnë Qeverinë. Pra, nuk është opozita, por vet Qeveria ajo që po e rrëzon vetveten.
Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka ndihmuar dhe as nuk e ka shkaktuar, me asnjë veprim, këtë situatë.
Faji dhe përgjegjësia është krejtësisht vetëm e këtij koalicioni qeverisës.
Kjo ikje nga përgjegjësia, institucionale dhe morale, dhe ky vet-dorëzim i Kryeministrit, duke provokuar vet me veprimet e tij mocionin e mosbesimit, është i padenjë. Sepse, po ndodh pikërisht në kohën kur do të duhej të punonte për unitet e bashkëpunim dhe jo për përçarje e ndasi.
Andaj, ai vetë po ia vulos vetes fatin e tij politik si Kryeministër, bashkë me partnerin e tij, me të cilët premtuan aq shumë e bënë shumë pak për gati dy muaj qeverisje.
Ky është akti i vetë-dorëzimit të Kryeministrit dhe Qeverisë së tij, pa dallim partiak, përballë sfidave që ka vendi ynë.
Pra, nuk mund të kishte një fund tjetër një Qeveri dhe një Kryeministër, që për një kohë kaq të shkurtër e rrezikuan skajshmërisht aleancat më jetike për Kosovën, që dështuan të ofrojnë një program zhvillimi për pritjet e qytetarëve dhe që krijuan aq shumë kundërthënie brenda vetes për një periudhë të shkurtër.
Partia Demokratike e Kosovës do të votojë pro mocionit të mosbesimit, jo vetëm sepse është në krye të opozitës dhe përshkrimi i natyrshëm i punës së çdo opozite të një vendi demokratik është që t’ia shkurtoj sa më shumë jetën qeverisë, por edhe sepse me të vërtetë kjo ka qenë qeveria më e paaftë e historisë së demokracisë së Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejtë.