Krasniqi ne Hagë: Asnjëherë s’i kam trajtuar njerëzit ashtu siç më trajtuat mua që nga dita e arrestimit

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka thënë se asnjëherë nuk i ka trajtuar njerëzit ashtu siç Dhomat e Specializuara e trajtuan atë prej ditës së arrestimit e deri në paraqitjen e sotme.

“Dua të them këtu se unë jam arrestuar më 4 nëntor në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale e përbashkët. Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq se si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se e ndjen vetën më shumë se mirë dhe kurrë nuk do të donte të ishte në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli.

Ai ka thënë se është intelektual, njëri që politikisht e ka luftuar Serbinë dhe kurrë nuk e ka drejtuar gishtin nga popullsia civile.

“Ju në aktakuzë po mundoheni ti ndani njerëzit në katolik e mysliman, unë jam shqiptar. Cilësimi i prokurorit që ne qenkemi ndërmarrje kriminale, për mua shokët e mi dhe familjen time, nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira, u vumë në shërbim të lirisë”, ka thënë ai.

Jakup Krasniqit i është lexuar aktakuza me të cilën ai ngarkohet nga Dhomat e Specializuara. Gjykatësi i procedurës paraprake ia ka shpjeguar rregullat dhe po ashtu e pyeti Krasniqin nëse e ka pranuar aktakuzën në gjuhën shqipe, të cilën e flet.

Krasniqi është përgjigjur se një pjesë të aktakuzës e ka pranuar më 4 nëntor e pastaj në Hagë i është dorëzuar një aktakuzë, për të cilën thotë se ka qenë variant i korrigjuar dhe se e ka kuptuar mirë dhe lexuar mirë.

“Aktakuzën e kam marrë, një pjesë të saj me 4 nëntor. Por edhe pasi kam ardhur në Hagë e kam marrë të korrigjuar një pjesë të aktakuzës, e kam lexuar dhe kuptuar mirë”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme