Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur këtë të shtunë në selinë e partisë në Prishtinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur para mediave dhe ka thënë se në këtë takim u diskutua për qëndrimin e PDK-së, raporton Koha.net.
“Ky është takimi i parë pas pushimeve i GP të PDK-së. Është konfirmuar qëndrimi i PDK-së, për konsistencën që PDK-ja e ka treguar në vazhdimësi dhe që jemi pro dialogut. Nuk do të cenohet integriteti i Kosovës”, tha Krasniqi.
Kuvendi zyrtarisht është ende në pushim. Diskutimet e fundit rreth idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë elektrizuar skenën politike vendore. PDK-ja aktualisht është e vetmja parti parlamentare që përkrah këtë ide.
Opozita ka thirrur seancë të jashtëzakonshme, e cila është kërkuar që të mbahet para takimit të së premtes në Bruksel në mes të presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, e për të cilën Kryesia e Kuvendit do të vendosë të hënën. Krasniqi ka thënë se do të marrim pjesë në seancën e thirrur nga opozita, më 4 shtator.
I pyetur edhe për qëndrimet e AAK-së dhe Nismës që po kundërshtojnë idenë e Thaçit për shkëmbim territoresh, Krasniqi tha se Thaçi, asnjëherë s’ka folur për shkëmbim territoresh.
“Kurrë nuk e kam dëgjuar që Thaçi ka folur për veriun e Kosovës, ai ka folur vetëm se duhet të kthehet Lugina e Kosovës”, tha ai.
Krasniqi ka folur edhe për platformën e propozuar nga Kadri Veseli, që është propozim për të arritur konsensus.
“Sot e kësaj dite mbajmë këtë qëndrim, që pozicioni i Kosovës në dialogun e Brukselit do të jetë më u fuqishëm nëse kemi konsensus. Nëse opozita heziton të marrë përgjegjësi normalisht që ne kemi shqetësim se pozicioni i Kosovës do të jetë më i dobët. Nëse opozita i ka adaptuar qëndrimet, besoj se duhet të kemi një rezolutë në Kuvend i cili shpreh arritjen e konsensusit dhe qëllimet e Kosovës që duam të arrijmë në këtë dialog”, tha Krasniqi.
Ai tha tutje se nëse opozita është e gatshme t’i bashkohet këtij propozimi, atëherë është e lehtë të gjendet një gjuhë e përbashkët, por se ata s’duhet të luftojnë të fitojnë poenë politikë.