Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar pas letrës publike të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, drejtuar liderëve partiakë lidhur me shkurtimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, raporton Ekonomia Online.
“Sic kam paralajmëruar unë kam biseduar edhe me z.Abdixhiku edhe me z.Haradinaj pas dërgimit të letrës së z.Kurti. Ne i ndajmë bashkërisht shqetësimet dhe padyshim së çkado që duhet dhe është e nevojshme të ndërmirret për të siguruar një përmirësim të situatës dhe për të ruajtur maksimalisht shëndetin e qytetarëve tanë, është e nevojshme që të diskutojmë dhe të marrim vendime”.
“Unë e konsideroj shumë të rëndësishme që zgjedhjet e 17 tetorit të zhvillohen padyshim në nivelin e transparencës dhe demokracisë që tashmë e kemi dëshmuar, por krahas kësaj krijimit të kushteve që qytetarët kur t’i drejtohen kutive të votimit të kenë një siguri që shëndeti i tyre nuk do të rrezikohet. Ne si PDK mendojmë se duhet të diskutojmë për t’u dakorduar me fushatë të shkurtuar. Mendoj që të gjithë pa dallim duhet ta kemi prioritet shëndetin e qytetarëve”, ka thënë i pari i PDK-së.
Ndryshe, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të enjten u ka bërë ftesë publike liderëve të tri partive parlamentare, atij të LVV-së, Albin Kurti, të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga të cilët ka kërkuar që të kapërcehen dallimet dhe të bëjnë një pakt zgjedhor duke marr parasysh situatën e rëndë me pandeminë.