Kosova është një nga kundërshtarët e Rumanisë në grupin për kualifikimet në Kampionatin Evropian, që do të mbahet në Gjermani më 2024.
Fakti që Ermal Krasniqi, një nga futbollistët më në formë të Rumanisë, nuk u përzgjodh në kombëtaren e Kosovës, flet shumë për vlerën e kombëtares me të cilën do të përballet rumunët, shkruan Prosport, transmeton Klankosova.tv.
Mediumi rumun shkruan se vlera e lojtarëve të Kosovës në krahasim me të Rumanisë, është më e madhe për 10 milionë euro.
Ermal Krasniqi i cili luan te klubi rumun
CFR Cluj, ka thënë se dëshira e tij është që Kosova të fitojë.
“Mendoj se të dyja janë ekipe cilësore, por dëshira ime është që Kosova të fitojë”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Prosport.
Futbollisti i CFR-së u thotë rumunëve se nuk duhet të nënvlerësohet kombëtarja e shtetit të tij vetëm sepse ka një popullsi 10 herë më të vogël se Rumania.
“Kosova është një vend i vogël, por ka shumë talente që performojnë çdo ditë në ligat më të forta në Botë dhe Evropë. Në Kosovë ka lojtarë të mirë që mund të përballojnë kampionatet në Evropë”.
Vetëm një futbollist që luan në Kosovë është thirrur nga trajneri Alain Giresse në kombëtare.
Ai është ish-bashkëlojtari i Krasniqit, sulmuesi Albion Rrahmani nga Ballkani.
Mesfushori i CFR thotë se ka ende futbollistë në Kosovë që mund të bëjnë përshtypje në Rumani.
“Ballkani, ish-klubi im, luajti kundër CFR-së dhe mendoj se të gjithë e vunë re se çfarë lojtarësh janë atje. Nuk është në detyrën time të bëj rekomandime, por në Kosovë ka lojtarë të mirë që mund t’ia dalin në kampionatet në Evropë”, përfundoi Krasniqi.