Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se dje ka pranuar nga presidentja Vjosa Osmani një letër me të cilën e ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së.
Krasniqi ka thënë se për shkak të indiferencës së Osmanit në raport me zhvillimet e fundit dhe për shkak të neglizhimit të obligimit të saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët, ka refuzuar ftesën e saj.
“Dje kam pranuar nga Presidentja Osmani një letër me të cilën më ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët. Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim”, ka shkruar Krasniqi.