Krasniqi: S’do të isha pjesë e një partie që fërkon duart mbi fatkeqësitë e të tjerëve

Prishtinë | 04 Jan 2018 | 11:59 | Nga

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se asnjëherë s’do të pranonte që të ishte pjesë e një shoqërie apo partie politike, e cila i fërkon duart mbi fatkeqësinë e dikujt tjetër.

Në një reagim në profilin e tij zyrtar, Krasniqi ka thënë se nuk i shkakton satisfaksion fatkeqësia e askujt.

Ky reagim i tij duket se është nxitur nga zhvillimet e fundit në vend,  kur pritet që të bëhen publike aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, gjykatë kjo që u provua të zhbëhet ditë më parë nga koalicioni qeverisës PDK, AAK dhe NISMA.

Shkrimi i plotë:

SIKUR TË KISHA MUNDËSI TË ZGJEDH SHOQËRINË, KOMBIN, PARTINË APO NDONJË KOMUNITET MENDJENDRITUR

Po të pyetsha se a do të pranoja të isha pjesë e një shoqërie, kombi, partie politike, a ndonjë komuniteti të shitur si “intelektual”, që i fërkon duart e pret krekosjen në institucionet e shtetit, mbi fatkeqësinë e të tjerëve, duke pritur si dhelpra pas dashit, po të varej nga dëshira ime pa u hamendur do të thosha: Jo, njëqind a njëmijë herë jo!

Përse?

Për faktin se nuk ndiej lumturi në fatkeqësinë e askujt, e duart s’i fërkoj në zjarrminë e asnjërit!

Se nuk dua në asnjë mënyrë të jam hijen që pret të ushqehet me kerrmat – mbetjet e presë së luanëve të Kilimanxharos.

Se në politikë nuk kam hyrë gati 20 vjet pas çlirimit, pasi vola e çvola kulisave të financimit.

Se në politikë kam hyrë, kur misri bluhej me kokërr e njerëzit numëroheshin në gishta.

Se në politikë s’kam hyrë duke pritur ashtin për lëpirje, por jetova me djersën time.

Se në politikë kam hyrë të ndeshëm me ide e mendime të avancuara shoqërore, kombëtare e shkencore.

Se në politikë nuk kam hyrë as si ujk e as si dhelpër, që gjuan dele a gjela e kuaj.

Se në politikë s’kam hyrë me fuqinë e muskujve të demit që byrylyket plehurinave.

Se në politikë nuk kam hyrë as si aligator tinëzar, që kafshon bizonët në dalje të lumenjve.

Në politikë kam hyrë vetëm si çlirimtar e jo si grabitës parash a grash.

Prandaj e urrej çdo farë tinëzare, që në politikë ka hyrë nën petkun e intelektualit këmishëbardhë, që “lufton”në dhjetë universitete për honorar.

Dhe pastaj i bashkon “ideali” me armiqtë barbarë që më se një shekull deshën të na zhbëjnë!

Vetëm të ligjet lumturinë e kërkojnë në vdekjen e dhunshme politike të të tjerëve!

Njeriu i mirë lumturinë e kërkon edhe për të tjerët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme