Ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që dikur ishte pjesë e PDK-së e tani pjesë e Nisma për Kosovën përkrah Fatmir Limajt, gjithashtu dikur pjesë e PDK-së, ka kritikuar lëvizjet e fundit të Presidentit Hashim Thaçi.
Krasniqi thotë se Thaçi në këtë periudhën e fundit pati dy “gjunjëzime”, duke iu referuar vizitave dhe vënies së kurorave me lule tek serbët e vrarë në Kosovë, fillimisht në Grackë të Lipjanit e më pas në Gorazhdec të Pejës.
Krasniqi thotë se nuk është për t’u kontestuar shkuarja e Thaçit tek këto varreza, por se në ato monumente para të cilëve vendoste lule e përkulej President i Kosovës, shkruante se “vrasësit ishin terroristët shqiptarë”.
Ai thotë se deri më tani nuk ka ndonjë informacion për vrasësit e tyre, dhe shtron pyetjen se përse po akuzohen shqiptarët për këto vepra.
Në vijim ju sjellim të plotë reagimin e Krasniqit:
Përse duhet reaguar ndaj dy gjunjëzimeve të Presidentit të Kosovës? Sigurisht që nuk jam prej atyre që me lehtësi përzihet në kompetencat kushtetuese të Presidentit të Kosovës. Nuk e kontestoj për asnjë arsye tjetër përse ai shkoi dhe u gjunjëzua para të vrarëve serbë në Kosovë, se ata ishin qytetarë të Kosovës, por se në ato monumente para të cilëve vendoste lule e përkulej President i Kosovës, shkruante se vrasësit ishin terroristët shqiptarë!
Nuk kam asnjë dyshim nëse ato vrasje ishin kriminale, pasi ishin të tilla, por a ka pasur dhe a ka ndonjë instancë gjyqësore që i kanë ndriçuar vrasjet në fjalë? Deri tani asnjë njeri i vetëm nuk ka dalë para gjyqit që të përgjigjet për ato raste! Prej nga, pra, akuzohen shqiptarët si vrasës? Shkuarja e Presidentit, përulja para atyre pllakave ku akuzoheshin shqiptarët për ato vrasje kriminale, është marrja e fajit për secilin shqiptar, përveç njërit, se vrasësit ishin shqiptarë! Nuk besoj që Presidenti i Kosovës ka ndonjë informacion se kush ishin kryesit e atyre vrasjeve! Është interesant, se pas luftës janë bërë disa vrasje të serbëve të Kosovës, pak ditë para se të diskutohej në KS të OKB-së, situata politike dhe e sigurisë në Kosovë. Pra, sikur të ishin ndriçuar ato vrasje dhe vrasësit të ishin shqiptarë, shkuarja e Presidentit do të mund të konsiderohej ushtrim i përgjegjësisë së tij kushtetuese.
Të gjithë ata që në tridhjetë vitet e fundit kanë përcjellë zhvillimet politike në Kosovë (që nga viti 1981), në shumë eksese e vrasje ndëretnike në Kosovë, në kontinuitet, pra në vazhdimësi të akuzuarit, pa u zhvilluar asnjë proces gjyqësor, janë apostrofuar shqiptarët. Madje-madje, një vrasje që ka ndodhur gjatë luftës çlirimtare nëKosovë në kafen “Panda” në Pejë, të akuzuarit e parë kanë qenë shqiptarët! Ata janë burgosur dhe torturuar deri të ekstrem dhe gjykata serbe nuk ka gjetur asnjë element të veprës për çka ishin të akuzuar. Por shumë vite pas lufte është konfirmuar se vrasësi i vërtetë ishte shteti serb. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të lartë serbë të kohës e në mesin e tyre është edhe Kryeministri i sotëm i Serbisë, Vuçiqi, i cili në kohën e luftës ishte ministër në qeverinë e regjimit serb të Millosheviqit. Pra kemi një rast të konfirmuar, se një vrasje e tmerrshme për të cilën ishin akuzuar shqiptarët, vrasësi ishte vetë shteti i Serbisë, me qëllimin e vetëm që vrasja t’u përshkruhej shqiptarëve dhe më pas të arsyetoheshin të gjitha veprimet e Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Atëherë, fare thjesht, përse edhe rastet në fjalë të mos jenë vepër e Sigurimit Shtetëror Serb, si gjithnjë – për t’i akuzuar shqiptarët?! Përshkrimi me detaje të hollësishme për rastin “Panda” mund të gjendet në librin e Bardhyl Mahmutit, “Kthesa e Madhe”, botim i Shtëpisë Botuese “Çabej”, Shkup- 2015.
Duke u bazuar në këto që u thanë, Presidenti i Kosovës, si qytetar i parë i Kosovës, nuk është dashur që një vepër kriminale, të pandriçuar nga asnjë gjykatë, t’ua vendosë si barrë terroristëve shqiptarë, prej atyre që ka përfituar gjithçka, madje edhe pozitën e Presidentit!!! Ky fakt e rrit shumë përgjegjësinë e Presidentit të Kosovës dhe e shtron domosdonë e dorëheqjes së tij. Por në Kosovë nuk ka ambient e as frymë të përgjegjësisë, nuk ka sundim të ligjit, nuk ka ndjesi të mjaftueshme qytetare (këtë po e dëshmojnë protestat kundër aferës “Pronto 2”), andaj edhe dorëheqja nuk do të ndodhë.
Presidenti duhet ta ketë të qartë një gjë, pa ekuivok: për t’i mbrojtur interesat e tij personale, me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, nuk është dashur dhe nuk ka denjuar t’i akuzojë shqiptarët përderisa nuk është provuar një gjë e tillë, një pandehmë tashmë bajate e qarqeve që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe shqiptarëve në veçanti! Me veprimet që bëri në Gracë të Lypjanit e në Gorozhdec të Pejës, Presidenti bëri i përgjegjës shqiptarët, së këndejmi dhe veten e tij!