Jakup Krasniqi, në një intervistë dhënë për Telegrafin bëri të ditur se nuk ka folur asnjëherë kundër Kadri Veselit, apo të ndonjë anëtari të PDK-së.
Ai tha se vërejtjet në të kaluarën i kanë pasur për ish kreun e PDK-së, Hashim Thaçin.
“Kemi pas vërejtje dhe të gjitha ato i kam pas për ish-kreun e PDK-së, Thaçin. Nuk kam pas asnjë fjalë për të tjerët sepse kur kam qenë unë në PDK, Veseli s’ka qenë në struktura. Nuk kam thënë asnjë fjalë për Veselin, dhe për anëtarët e tjerë. Kam thënë që nuk po na jepet hapësira e duhur. Këtë e kam thënë në prill të vitit 2011”, tha ai.
Ai shtoi se beson bindshëm në kandidimin e Ramush Haradinajt për kryeministër pasi sipas tij vendi ka nevojë për vendime të guximshme.
“Po shpresojmë që kemi një kandidat të ri, që pak është sprovuar me qeverisje të vendit. Kosova ka nevojë për vendim të guximshme”, u shpreh Krasniqi.
Ai po ashtu foli edhe për marrëveshjet e Brukselit siç janë Demarkacioni dhe Asociacioni, duke thënë që problemi mund të zgjidhet vetëm përmes formës së komunikimit me partitë politike.
“Ne kemi pas qëndrimet tona publike dhe mendojmë që këto dy çështje janë krejtësisht politike dhe kanë ndikuar në zhvillimin e proceseve. Demarkacioni kështu si është duhet t’i thuhet ‘JO’. Roli ynë do të jetë në shërbim të qeverisjes së mirë të qytetarëve. Zgjidhja duhet të arrihet vetëm në formën e komunikimit. Ndërsa, sa i përket asociacionit Gjykata e kanë thënë fjalën e saj. 23 nene bien ndesh me Kushtetutën. Janë disa dokumente që flasin për asociacionin e komunave. Nuk ka nevojë që të ketë një statut për komuna me shumicë shqiptare dhe një tjetër për serbë, duhet të riformatizohet statuti në një”, ka thënë Jakup Krasniqi.