Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) kanë lansuar Programin për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe te mesme në Kosovë.
Programi financohet nga Bashkimi Evropian (BE) IPA dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).
Programi ofron një kombinim të kredive, granteve stimuluese dhe asistencës teknike falas për të rritur ekspertizën e NVM-ve.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, tha se ky projekt ka rolin e udhëheqësit për certifikimin e produkteve kosovare për të eksportuar në tregjet ndërkombëtare.
“MTI-ja ka bashkëpunim të shkëlqyer me zyrën e BE-së në Kosovë ku me këtë zyrë jemi duke bërë bashkëpunime të shkëlqyera në zbatimin e MSA-së. MTI-ja ka bashkëpunim të ngushtë edhe me BERZh-in. Ky bashkëpunim përfshin fusha të ndryshme për zhvillim ekonomik të vendit tonë”.
“MTI-ja konsideron se ndihma që mund tu jepet ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla përmes granteve është ndihma më e mirë që mund tu jepet. Si qëllim primar për ta përfituar tregun vendor dhe së dyti të përgatisim produktet për të eksportuar në tregje ndërkombëtare”.
Udhëheqësi i Seksionit për Bashkëpunim në zyrën e BE-së, Luigi Brusa, tha se për Kosovën është e rëndësishme të jetë në program i tillë pasi sipas tij, kjo e bën Kosovën vend stabil, të vetqëndrueshme dhe konkurrues.
“Në ekonominë e sotme ne duhet të vrapojmë dhe jo të ecim. Që të jemi në gjendje të vrapojmë kemi nevojë të kemi një zemër që pompon mirë dhe sistemi bankar është zemra e ekonomisë dhe paratë janë gjaku që duhet të qarkullojnë”.
“Me këtë projekt jeni duke ofruar gjakun dhe për ju ajo që është me rëndësi është që të keni qasje të lehtë në resurse financiare”.
Ai shtoi se BE-ja po i ndihmon Kosovës në shumë fusha duke përfshirë atë të arsimimit dhe krijimit të hapësirave të punës për të rinjtë, raporton EO.
“Ne i kemi ndihmuar Kosovës që të jetë konkurruese duke respektuar rregullat. Ne po mbështesim sundimin e ligjit dhe të gjitha rregullat që lidhen me tregun”.
“Ju nevojitet një kornizë stabile, e parashikueshme ligjore për të bërë rregulla për të gjithë operatorë. Kemi një treg fleksibil të punës dhe si komision evropian jemi duke e mbështetur arsimimin”.
“Jemi duke i përgatitë që të rinjtë pas arsimimit të rekrutohen në kompanitë tuaja dhe po kujdesemi që të kenë një të ardhme në Kosovë. Ne po përcaktojmë rregullat dhe e rëndësishme është që ju ti ndiqni ato rregulla”.
Neil Taylor, shef i BERZh-it, tha se Kosova ka potencial për sektorin privat.
“NVM në sektorin privat janë qëllimi strategjik numër një për BERZh-in dhe ne jemi duke investuar aty ku është nevoja. Vitin e kaluar 3/4 e investimeve ka qenë në sektorin privat. Me vendimin e BE ne kemi zhvillu një program për konkurrueshmërinë për të bërë promovim në ekonomi”.
“Kompanitë do të marrin financim dhe do marrin 15 për qind grante nga BE pas impelementimit të programit”.