Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska nuk e përjashton mundësinë e një shkëmbimi të ri të të burgosurve me Ukrainën, pas atij të fundit, kur u liruan 70 vetë të mbajtur në të dyja vendet.
“Askush nuk e përjashton mundësinë e një procesi të tillë”, tha Peskov për gazetarët në Moskë.
Deklarata e tij vjen disa orë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha në një konferencë në Kiev se qeveria e tij po punon në përgatitjen e një liste të re të shtetasve të Ukrainës, që mbahen në Rusi, për një shkëmbim të mundshëm.
“Po flasim tani për fazën e ardhshme, pasi të burgosurit tanë politikë janë liruar nga Rusia”, tha Zelenskiy në hapjen e takimit vjetor të Strategjisë Evropiane të Jaltës.
Më 7 shtator, Kievi dhe Moksa kanë shkëmbyer gjithsej 70 të burgosur.
Ka qenë ky shkëmbimi i parë i madh midis dy palëve nga viti 2017.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe Kievit janë të tensionuara qysh në vitin 2014, kur Rusia ka marrë kontrollin e gadishullit ukrainas të Krimesë dhe ka nisur mbështetjen për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Konflikti midis forcave qeveritare dhe separtatistëve në atë pjesë ka lënë mbi 13,000 njerëz të vrarë. /rel/