Krerët e shtetit e kundërshtojnë mohimin e Masakrës së Reçakut nga Serbia

Reçak | 15 Jan 2023 | 12:14 | Nga Hasan Hoti

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës iu kundërvunë Serbisë edhe në ceremoninë përkujtimore në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, raporton Ekonomia Online. 

Në këtë ceremoni, krerët e shtetit kundërshtuan tendencat e Serbisë për mohimin e masakrës së Reçakut. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kjo masakër shënon kthesën historike, e cila sipas saj e zgjoi vëmendjen ndërkombëtare. 

“Jemi mbledhur sërish për të përkujtuar krimet monstruoze të 15 janarit të vitit 1999 në Reçak, të cilat shërbyen si një moment i kthesës historike. Jo se vetëm aty mizoria e regjimit të Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë mori trajtën më çnjerëzore por që shënoi edhe një moment në të cilën vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht”, tha Osmani. 

“Masakra e Reçakut bëri që qendrat vendimmarrëse demokratike bëri që të mobilizoheshin për ta mbrojtur popullin e Kosovës”, tha ajo.

Mohimin e kësaj masakre nga shteti serb, e përmendi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Përgjithësisht kur e vërteta është kaq e fuqishme si Masakra e Reçakut, shfaqen edhe narrativa mohuese ndaj saj sikur që ka bërë Serbia që nga dita e parë e Masakres e deri më sot, duke i mohuar e duke u munduar ta falsifikojë këtë masakër. Më datë 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se kjo masakër është fabrikim dhe falsifikim. Ndërkaq dy vjet më vonë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq e përsërit atë që e ka thënë presidenti i Serbisë, falsifikim dhe fabrikim”, tha Kurti. 

Meritat për ndryshim të qëndrimeve të shteteve më të fuqishme në bashkësinë ndërkombëtare në raport me atë se çfarë bënte Serbia në Kosovë, sipas Kurtit i ka ambasadori amerikan, William Walker.

“Ajo u shndërrua në një nga argumentet më të pakontestueshme dhe më të fuqishme për ndërhyrjen e NATO-s e cila do të vinte pas dy muajsh. Për këtë meritat më së shumti i takojnë ambasadorit amerikan që kryesonte misionin verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ai pati kurajën ta përshkruante atë që pa me emër të vërtetë – që ajo ishte masakër dhe krim kundër njerëzimit. Sot 24-vjet më pas ai po e shkruan një libër për masakrën e Reçakut dhe besoj se ai do ta monumentalizojë në tekst përvojën e tij profesionale dhe personale në një deklaratë publike e thënë një ditë pas masakrës së Reçakut. I jemi gjithmonë mirënjohës ambasadorit Walker që në një kohë kur kishte pak zëra që flisnin qartë dhe fuqishëm për Kosovën në diskursin ndërkombëtar, ai e tha të vërtetën për krimet e luftës që Serbia po i shkaktonte në Kosovë duke folur jo thjeshtë me gjuhë diplomatike, por edhe me një gjë të kulluar”, ka thënë më tej Kurti.

Ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka thënë se është i lumtur se me çdo vit po rritet numri i njerëzve që po marrin pjesë në homazhe në përvjetorin e masakrës së Reçakut.

Walker po ashtu ka thënë se çdo vit në Kosovë vjen edhe për të parë përparimin në Reçak, Shtime e po ashtu në Kosovë dhe secilën herë largohet me përshtypje pozitive.

“15 janari i vitit 1999, ishte një ditë me mot të tmerrshëm, kishte borë, akull, ishte e vështirë të ngjiteshim në vendin ku ishin trupat që ishin vrarë një natë më parë. Sot, shikoj diellin duke ndriçuar, qiellin e katër, kjo simbolizon se gjërat definitivisht kanë ndryshuar, jo vetëm simbolikisht”, ka thënë Walker. “Unë kam marrë pjesë ndoshta në 15 ceremoni, ndërsa vi kryesisht për të parë njerëzit e fshatit Reçak, njerëzit që pash së pari në mizoritë e asaj dite. Shumë prej tyre nuk janë më me ne. Ishin të moshuar atëherë, në moshë time. Por, më pëlqen të shoh shumë fëmijë. Këtë vit kur ecëm te varret, nuk isha në gjendje të dalloja se cilat ishin familjet e viktimave e cilët ishin njerëz që duan të tregojnë respektin. Çdo vit numri i njerëzve që duan të tregojnë respektin po rritet”.

LEXONI EDHE:

https://ekonomiaonline.com/kreret-e-shtetit-ne-recak-perkujtojne-viktimat-e-masakres/

Të ngjashme