Kreshnik Sopi: Prioritet zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës

Prishtinë | 31 Maj 2026 | 14:47 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Kreshnik Sopi, në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se prioritetet e tij kryesore, nëse fiton besimin e qytetarëve, do të jenë zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i infrastrukturës në Kosovë.

Sopi ka thënë se në këtë garë zgjedhore e dallojnë karakteri, sinqeriteti dhe profesionalizmi.

“Gjatë takimeve në terren kam takuar shumë qytetarë dhe ndër shqetësimet kryesore që ata ngritin janë zhvillimi ekonomik, papunësia dhe nevoja për vende të reja të punës”, ka deklaruar ai.

Ai është shprehur optimist se do ta marrë besimin e qytetarëve, veçanërisht të Prishtinës dhe zonave të tjera të Kosovës.

“Besoj se do ta kem mbështetjen e qytetarëve të Prishtinës, por edhe të qytetarëve anembanë Kosovës, sidomos të Gollakut dhe Llapit, pasi vij nga ajo anë dhe besoj se do të jem zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur Sopi.

Kandidati i PDK-së ka theksuar se gjatë fushatës është duke u fokusuar në planprogramin e partisë, ku prioritet mbetet zhvillimi ekonomik dhe afërsia me qytetarët.

“Prioritet kryesor është zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës, por edhe afërsia me qytetarët”, ka deklaruar ai.

Sopi ka premtuar se do të jetë i qasshëm për qytetarët edhe pas zgjedhjeve.

“Do të jem i afërt me qytetarët. Ata mund të komunikojnë me mua përmes numrit të telefonit dhe rrjeteve sociale, ashtu siç kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë fushatës”, tha ai.

Duke folur për Partinë Demokratike të Kosovës, Sopi ka vlerësuar se PDK-ja ka dëshmuar rezultate konkrete gjatë qeverisjeve të kaluara.

“PDK-ja e ka dëshmuar veten me projektet që janë realizuar, si autostradat, shkollat dhe investimet kapitale, edhe pse atëherë buxheti ka qenë shumë më i vogël. Ndërsa qeveria aktuale, pavarësisht buxhetit më të madh, nuk ka realizuar ndonjë projekt madhor”, deklaroi ai.

Sopi rikujtoi gjithashtu kandidimin e tij në zgjedhjet lokale, ku sipas tij kishte dalë fitues me një iniciativë qytetare, duke shtuar se gjithmonë ka qenë pranë qytetarëve dhe synon të jetë zëri i tyre edhe në Kuvendin e Kosovës.

Të ngjashme