Drejtues të Institutit për Hulumtim e Krimeve të Luftës ankohen se punojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda, me mungesë hapësirash, të punonjësve dhe me buxhet të ulët. Ismet Salihu nga ky institut kërkon përmirësim të kushteve të punës, në të kundërtën sipas tij nuk mund të kryejnë hulumtimin e krimeve të luftës edhe për 20 vjet të tjera.
“Në Kosovë është themeluar Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, punojmë në kushte jashtëzakonisht të rënda. Jemi të punësuar shtatë persona, dy doktorë shkencash, tre magjistra, një në administratë. Në këto kushte çfarë jemi, me këtë staf dhe buxhet, ky institut nuk mund të kryejë këtë punë edhe 20 vjetët e ardhshme”, ka deklaruar Salihu, duke shtuar se janë të vendosur vetëm në tri zyre të cilat nuk plotësojnë as kushtet elementare.
Ai ka thënë për Ekonomia Online se për të arritur misionin e institutit duhet të trefishohet kuadri e buxheti, të sigurohet një ambient i ri me së paku gjashtë zyre dhe të angazhohen dhe hulumtues të terrenit.
“Buxheti aktual i institutit është rreth 100 mijë euro në vit. Aty hyjnë pagat tona modeste që i kemi dhe udhëtimet, hulumtimet, botimet. Së pari të trefishohet kuadri që do të punonte në hulumtimin e krimeve të luftës, të mundësohet hulumtimi në terren, të sigurohet një ambient adekuat, së paku pesë ose gjashtë zyre, të sigurohen edhe hulumtues të terrenit”.
“Të mos ketë fare restrikcione lidhur me botimin e të dhënave të cilat ne do t’i grumbullojmë. Atëherë do të caktohej buxheti dyfish apo trefish, që do të arrinte në maksimum 300 mijë apo 400 mijë euro, për ndryshe nëse vazhdohet kështu, edhe 20 vite ky institut nuk mund të kryejë misionin për të cilin është themeluar”.
Salihu ka theksuar se në kushtet që kanë punuar deri më tash janë munduar të punojnë maksimalisht në studimin e vrasjeve, çështjes së personave të zhdukur dhe dhunimeve gjatë luftës. Megjithatë, ai aktualisht nuk sheh ndonjë zgjidhje adekuate e cila do të premtonte që të bëhen hulumtimet e duhura.
“Në këto kushte që kemi punuar deri më tash, kemi bërë përpjekje maksimale që të studiojmë. Kemi bërë studimin e vrasjeve, çështjes së personave të zhdukur, çështjes së dhunimeve, aq sa kemi mundur. Si institut kemi bërë hulumtimin dhe botimin e krimeve ndaj trashëgimisë kulturore, puna është duke vazhduar në kushte shumë të rënda”, ka bërë të ditur ai.
Salihu ka bërë ditur për EO se është duke u shqyrtuar mundësia që instituti të shndërrohet në departament për hulumtimin e krimeve të luftës dhe përkrahjen e viktimave të të gjitha krimeve. Për këtë është përgatitur edhe draft rregullorja. Ai vlerëson se ky shndërrim do ta ndryshonte komplet misionin dhe karakterin e institutit.
“Është një opsion që e ndryshon krejt misionin dhe karakterin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Është një ide, është përgatitur një draft rregullore që ky institut të shndërrohet në departament për hulumtimin e krimeve të luftës dhe përkrahjen e viktimave të krimeve që ndodhin në kushte të zakonshme”, është shprehur Salihu.