Kriporja e Ulqinit – një histori me pasuri natyrore dhe korrupsion

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 11:05 | Nga

Kriporja e Ulqinit e ngrit në vitin 1926 nga italianët dhe ka një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrorë që është lagunë dhe ndodhet në deltën e Lumit Buna. Aty ka edhe një pasuri të madhe shpezësh. Ujërat e ëmbla të lumit ndahen nga uji i kripur i detit Adriatik nëpërmjet kanaleve.

Si shumë pasuri të tjera, Kriporja e Ulqinit ka qenë pasuri shtetërore pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2003 është privatizuar, sepse ndërmarrja falimentoi, meqenëse nuk ishte në gjendje të paguante energjinë elektrike. 14 mijë euro fatura të energjisë elektrike nuk “mund” të paguheshin kështu që ndërmarrja doli në treg. Privatizuesi e bleu për 800 mijë euro.

Çmimi i tokës u vendos 5 cent metri katror. Për të bërë blerjen ai mori kredi nga dy banka të Malit të Zi. Por falimentoi dhe nuk ishte në gjendje të shlyente kredinë. Kriporja mund të kthehet kështu në pronë të bankave, pronarë të të cilave janë familjarë të Milo Gjukanoviçit, disa herë president dhe kryeministër i vendit, që pritet të hedhë sërish kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Historia që po tregohet këtu shkurt, përfshin shumë procese gjyqësore, vendime qeveritare, ndërhyrje evropiane, studime zhvillimore, protesta lokale, peticione, fushata. Por kryesisht korrupsion dhe atë në nivelin më të lartë.

Korrupsioni shkatërron një nga vendbanimet më të rëndësishme të shpendëve në Evropë

Këtë tregoi në filmin e saj Milka Tadić Mijović, gazetare, presidente e Qendrës për Gazetari Investigative në Mal të Zi. Filmi u shfaq ditët e fundit në Institutin Harriman në Nju-Jork. Dokumentari “The Saline: In the Net” u ndoq nga studentë, anëtarë të institutit dhe migrantë shqiptarë e malazezë të Nju-Jorkut. “Filmi hedh dritë mbi korrupsionin që është duke shkatërruar një nga vendbanimet më të rëndësishme të shpendëve në Evropë”, thotë Milka Tadić për Deutsche Wellen. “Ky dokumentar investigon problemet ekonomike dhe ekologjike që rrezikojnë këtë qendër biodiversiteti”. Filmi është financuar nga fonde amerikane dhe u shfaq këtu për herë të parë.

“Një version të shkurtuar të filmit do ta dërgoj në BE dhe vende të tjera”, shton ajo. Milka Tadić mendon se meqë ka të bëjë me nivele të larta korrupsioni çështja e kripores mund të zgjidhet vetëm duke kërkuar ndihmë nga jashtë.

Salina dhe BE

Kriporja e Ulqinit është një nga dhjetë kriporet më të mëdha dhe një nga më të rejat në Mesdhe. “E lirë kripa në Durrës, po e ha qiraja rrugës”, thonë shqiptarët që e dinë mirë si shkon kjo punë. Banorët e zonës me përqendrim më të madh shqiptar, jetojnë të papunë pranë një pasurie të tillë. Rreth 400 punëtorë ka pasur kriporja në ditët e saj më të mira. Sot, pajisjet e ndryshkura vazhdojnë të ndotin ambientin. Prandaj shqiptarët e AANO, organizatës së shqiptarëve migrantë në Amerikë u angazhuan të krijojnë një fond për të financuar zgjidhjen e çështjes nëpërmjet institucioneve ligjore malazeze dhe evropiane.

Kriporja e Ulqinit është parku i parë privat natyror në Malin e Zi. Rëndësia e tij është vlerësuar edhe nga Bashkimi Evropian, i cili financoi edhe studimin për mbrojtjen dhe rivitalizimin e kripores. Po ashtu Bashkimi Evropian ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve për anëtarësim me kapitullin 27 të marrëveshjes, kapitull që i kushtohet parkut natyror të Ulqinit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme