Sonte në Kosova Direkt të Orës së Fundit është diskutuar rreth ndërtimit të një objekti për personat me aftësi të kufizuara në Vushtrri.
Rreth kësaj çështje kanë folur Abdulla Klinaku, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Agim Vatovci, kryetari i Shoqatës me Nevoja të Veçanta në Kosovë.
Klinaku tha se këtë donacion e kanë fituar nga Ambasada e Kuvajtit.
“Duke pas parasysh kufizimet buxhetore ne kemi kërkuar donacion, dhe kemi siguruar nga Kuvajti – kjo qendër do të jetë mbi 200 metra katror”.
“Në të do të trajtohen 40 fëmijë me nevoja të veçanta”.
“Konsiderojmë se kjo do të jetë një qendër e veçantë në Kosovë, e para në Vushtrri, dhe se do të ndihmojë këta fëmijë, me qëllim që të përmbushen së paku nevojat optimale”.
Por Vatovci ka thënë se kjo qendër nuk do të plotësojë nevojat e personave me aftësi të kufizuara në Vushtrri.
“Nuk kam të dhëna sa fëmijë kanë nevojë, por kjo qendër nuk do t’i plotësojë kushtet, me 96 mijë euro nuk mundesh me bë asgjë”.
“Në këtë qendër nuk do të kenë qasje të gjithë”.
Ndërsa Klinaku ka treguar se tash ka bërë edhe shkresën për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nga të cilët ka kërkuar që të kenë psikologë e licencuar, pedagogët dhe ekipin tjetër përcjellës për këtë qendër.