Ndërprerja e punës së gjyqësorit si pasojë e ashpërsimit të masave të Qeverisë për parandalimin e COVID-19 ka bërë që disa gjyqtarë të gjejnë alternativa që të mos ketë ngecje dhe grumbullim të lëndëve.
Të paktën, Gjykata Themelore e Prishtinës ka lejuar gjykatësit që të marrin lëndët në shtëpi për t’i trajtuar.
Këtë e ka konfirmuar kryetarja e kësaj gjykate.
Por një praktikë e tillë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike, është e dëmshme dhe e kundërligjshme.
Për më tepër juristët përmendin rastet kur ka pasur të akuzuar lidhur me trajtimin e lëndëve gjyqësore jashtë gjykatave për veprën penale asgjësim apo fshehje e materialit arkivor.
Neni 408 i Kodit Penal parasheh që kushdo që në mënyrë të kundërligjshme asgjëson, fsheh ose bën të papërdorshme materialet arkivore apo nxjerr materialet e tilla jashtë vendit dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
KOHA ka provuar të marrë një qëndrim për këtë praktikë dhe nëse ajo është sugjeruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, por gjatë ditës ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkohë, gjatë periudhës së pandemisë, gjykatat në Kosovë kanë trajtuar vetëm rastet urgjente dhe kanë punuar me kapacitete të reduktuara.
Vetëm Gjykata Themelore e Prishtinës, gjatë vitit 2019, ka pranuar mbi 30 mijë raste, ndërsa ka arritur të përfundojë rreth 44 mijë.