Me këtë nivel të mjerë të mendimit politik që ekziston në mesin tonë, Kosova është në prag të katastrofës.
Po ecën drejt humnerës, e shtyrë nga qeveria e saj dhe nga shumica e qytetarëve të saj. Pse po them kështu?
Në këtë zjarrmi iracionale emocionesh, po harrohen faktet kryesore:
1. Marrëveshja Ushtarake-Teknike është në fuqi dhe ajo i jep pushtet absolut NATO-s, jo vetëm në raport me Serbinë, po edhe në raport me institucionet tona. Prandaj, nëse bëhen veprime të pamenduara, mund të ndodhë konflikt më KFOR-in.
2. Rezoluta 1244 është në fuqi dhe mund të rigjallërohet nëse eskalon kriza
3. Bashkimi Evropian e ka marrë rolin e ndërmjetësuesit nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pra, brenda kornizës së rezolutës 1244, ndërsa Kosova nuk njihet si shtet nga OKB. (Opinioni i Gjykatës së Drejtësisë nuk është obligativ)
5. Kosova nuk njihet si shtet nga Bashkimi Evropian.
6. Kosova nuk njihet si shtet nga OSBE-ja
7. Kosova nuk njihet si shtet as nga NATO-ja.
8. Kosova nuk ka mundësi ta dërgojë FSK-në në veri. (Temë tjetër është se çka do të fitonte edhe po të mund ta dërgonte.)
Pra, përfundimi është i qartë: kriza në veri nuk mund të zgjidhet me forcë dhe as në mënyrë të njëanshme, sepse Kosova as nuk e ka fuqinë e nevojshme e as nuk është shtet sovran që mund të marrë vendime sovrane.
Prandaj, kriza duhet të zgjidhet me dialog politik të ndërmjetësuar nga BE e SHBA. Nëse kriza del jashtë kontrollit, atëherë rifuqizohet pushteti ndërkombëtar në Kosovë, zvogëlohen gjasat e pranimit të Kosovës në intitucionet ndërkombëtare dhe Kosova dështon si shtet.
Kosova mund të ekzistojë si shtet vetëm si faktor stabiliteti, jo si krizë e pamenaxhueshme. Realiteti ynë është ky. Ata që jetojnë në realitete paralele, nuk po i kanë para sysh këto fakte.
Prandaj përplasen me realitetin, siç është përplasja e tashme e qeverisë Kurti-Osmani dhe e fanatikëve të saj me qëndrimin e SHBA-së dhe të BE-së.