Problemet ekonomike të Turqisë i kanë kapërcyer kufijtë e vendit. Lufta tregtare mes saj dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të një pastori të burgosur amerikan, tashmë po shkakton pasoja në ekonominë globale.
Rënia e ndjeshme e vlerës së lirës turke, së bashku me inflacionin dhe rrezikun e falimentimit të kredive, është duke shkaktuar – sipas “Zërit të Amerikës”, – një efekt zinxhir deri në vende si Argjentina dhe Indonezia, përmes ndikimit në vlerën e monedhave aziatike dhe luhatjes së vlerave të monedhave në mbarë botën.
Me përshkallëzimin e tensioneve mes Uashingtonit dhe Ankarasë, lira turke mori një goditje të fortë, por zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert këmbëngul se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të fajësohen për problemet ekonomike të Turqisë.
Edhe analistët pajtohen me idenë se, problemet e vendit janë më të thella e kanë nisur që përpara përplasjeve me Donald Trumpin. Ata argumentojnë se, struktura e ekonomisë së Turqisë është e paqëndrueshme, në kuptimin që bazohet kryesisht në rritjen e shpejtë, te kreditë e lira, mbështetja te projektet në sektorin e ndërtimit dhe pjesa më e rrezikshme është se ajo varet te borxhi i jashtëm, kryesisht në dollarë.
Duke qenë se lira është zhvlerësuar ndjeshëm përballë monedhës së gjelbërt, me 40 për qind vetëm këtë vit, kjo sipas ekspertëve të cituar nga “VOA” e bën më të komplikuar dhe më të kushtueshme për Turqinë që t’i paguajë borxhet.
E ndërkohë, ngërçi mes dy vendeve thellohet edhe më shumë nga refuzimi i Shtëpisë së Bardhë për ta pranuar ofertën e Ankarasë, që pastori Andreë Brunson të lirohet në këmbim të faljes së miliarda dollarëve taksa amerikane mbi një bankë turke, siç raporton “Wall Street Journal”.