Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banoziq, tha se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në NATO e institucionet e tjera, raporton Ekonomia Online.
Ai pas takimit me homologun kosovar, Armend Mehaj, shtoi se të ofrojnë ndihmë edhe në fushën e trajnimeve dhe shkollimit të pjesëtarëve të FSK-së.
“E kemi thelluar bashkëpunimin dhe partneriteti do t’i shërbejë thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Kroacia mund t’i ofrojë ndihmë Kosovës dhe përkrahim anëtarësimin e Kosovës në institucione euroatlantike”.
“Ne e mbështesim procesin e transformimit të FSK në Forca të Armatosura. Dhe ofrojmë ndihmë në fushën e trajnimeve dhe shkollimit. Unë dëshiroj të vazhdojmë të kemi bashkëpunimin tonë dhe të bëhet shkëmbimi i njohurive ndërmjet forcave tona. Takimi jonë është konfirmim i fuqishëm i bashkëpunimit miqësor”.
Përderisa Mehaj tha se është e rëndësishme të punohet për interesa strategjike e të përbashkëta, për çka sqaroi se e ka marrë mbështetjet e ministrit kroat, raporton EO.
“Marrëdhëniet tona nuk janë vetëm diplomatike, por edhe më tej. Kjo miqësi e ka patur momentin kulmor më shumë se dy dekada kontribut që nderon vendet tona. Së bashku nënkupton interesa strategjike angazhim të përbashkët në mbarë globin”.
“Angazhimin për paqe e siguri. Këtë miqësi e kurorëzojmë sot me nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtje. Hap rrugë për trajnime ushtarake, bashkëpunim më të theksuar në industrinë e mbrojtjes”.
“Kroacia ka treguar gatishmëri për të na ndihmuar gjithmonë, jo vetëm na takimin sot por edhe në takime të tjera ka treguar mbështetje. Gjithmonë ka vend për më shumë bashkëpunim”.
Mehaj ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me homologun e tij kroat, Mario Banozic, për të thelluar bashkëpunimin e dy vendeve në fushat e ndryshme që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.