Qeveria e Kroacisë filloi të mendojë seriozisht për t’u bashkuar me Eurozonën, menjëherë pasi miratoi një strategji të re që synon kalimin në monedhën e vetme brenda një periudhe nga pesë deri në shtatë vjet, por forcat opozitare pretendojnë se kjo gjë nuk është aspak në interesin më të mirë të Kroacisë.
Gjatë një seance, Kryeministri i vendit, Andrej Plenkoviq, tha me bindje të plotë përpara të gjitha forcave parlamentare se vendimi për të ndryshuar kunën [monedha vendore] në euro, pra miratimi i monedhës së përbashkët do të ishte vetëm në ndihmë të rajonit të Ballkanit dhe aspak në disavantazhin e saj. Sipas një strategjie të re janë paracaktuar kostot për kalimin në euro dhe përfitimet ekonomike që kalimi do të sjellë, duke konfirmuar procesin që do të ndiqet, edhe pse ende nuk është përcaktuar asnjë afat për realizimin e saj.
Plenkoviq, ish-deputet i Parlamentit Evropian, tha se Kroacia “ka arritur një nivel relativisht të lartë të konvergjencës” me kriteret e vendosura nga BE, për kalimin e monedhës vendase në monedhën e përbashkët. Sipas tij, Kroacia dëshiron ta miratojë euron brenda një periudhe 7-8 vitesh. Një prej sfidave kryesore në këtë drejtim është zvogëlimi i borxhit publik, i cili ka rënë në 78 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto dhe pritet të arrijë 65 për qind deri në vitin 2021.
Kryeministri tha më tej se rënia e nivelit të borxhit publik është faktor tregues i politikës ekonomike të përgjegjshme që po ndjek qeveria.
Do të ngrihet edhe një Këshill Kombëtar për miratimin e euros, i cili do të monitorojë kriteret kryesore makroekonomike (monedhën e qëndrueshme, inflacionin e ulët) para se të fillojë zyrtarisht procesi i anëtarësimit në Eurozonë. Por jo të gjithë qytetarët e këtij vendi, me në krye veçanërisht opozitën, nuk janë dakord për ndryshime të tilla.
Kroacia u bashkua me BE-në në 2013 dhe dëshiron të bashkohet si me Eurozonën, ashtu edhe me zonën Shengen.