Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos, ka zbuluar se virusi COVID-19 e ka bërë të ndihet shumë i dobët, por është optimist se do ta rimarrë veten me kohë për t’iu bashkuar Gjermanisë për Kampionatin Evropian 2020.
Kroos u ftua në skuadrën e Gjermanisë për Euro 2020, që mbahet muajin e ardhshëm, rreth një javë pasi u infektua me koronavirus, transmeton Gazeta Express.
31-vjeçari është lojtar kyç për klubin dhe kombëtaren, por tani përballet me garë kundër kohës për ta rimarrë veten për turneun e verës që nis më 11 qershor.
Por Kroos i ka siguruar adhuruesit e vet se do të rikthehet në kohë.
“Ndihem i dobët, nuk është ndjesi e mirë, është e çuditshme; diçka e re. Ndihem më mirë tani, temperatura më është ulur paksa”, tha Kroos për virusin COVID-19.
“Nëse çdo gjë shkon sipas planit, do të jem në gjendje t’i bashkohem ekipit kombëtar siç është planifikuar, edhe pse me një ditë vonesë”, shtoi ai.
“Çfarë mund t’iu them njerëzve është kjo: Do të jem gati”, nënvizoi ai.