Kryediplomati iranian i bën thirrje Bidenit që ta kthejë ShBA-në në marrëveshjen bërthamore

Prishtinë | 06 Shk 2021 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, i bëri thirrje Uashingtonit që të veprojë shpejt për t’u kthyer në marrëveshjen bërthamore, duke theksuar se legjislacioni i miratuar në kuvend e detyron qeverinë që ta ashpërsojë qasjen bërthamore, nëse ShBA-ja nuk i lehtëson sanksionet deri më 21 shkurt.

Kryediplomati iranian gjithashtu i përmendi zgjedhjet në Iran që do të mbahen në muajin qershor. Nëse zgjidhet një president me qëndrime më të ashpra, do të vështirësohet edhe më shumë respektimi i marrëveshjes.

“Koha po harxhohet për amerikanët, për shkak të ligjit të kuvendit dhe atmosferës së zgjedhjeve që do të vijnë pas Vitit të Ri Iranian”, tha Zarif në një intervistë për gazetën “Hamshahri” të shtunën.

Kuvendi i Iranit, ku mbizotërojnë deputetët me qëndrime të rrepta, në dhjetor miratoi legjislacion që caktoi afat dymujor për lehtësimin e sanksioneve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Administrata e presidentit Biden është duke hulumtuar mënyra për t’i kthyer Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila vendin e largoi ish-presidenti Donald Trump më 2018.

Pas këtij veprimi, Irani u hakmor duke i shkelur zotimet e marrëveshjes. Muajin e kaluar, Republika Islamike e vazhdoi pasurimin e uraniumit në 20 për qind, aq sa e kishte pasuruar para nënshkrimit të marrëveshjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme