Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka takuar homologun e tij nga Bosnja dhe Hercegovina, Igor Crnadak, ku kanë biseduar rreth taksës 100 për qind të vendosur nga institucionet kosovare ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Kryediplomati Pacolli e ka mbështetur taksën e vendosur ndaj produkteve të Bosnjës pasi që sipas tij, deri tani Kosova i ka pranuar mallrat e këtyre dy shteteve, ndërsa këto të fundit nuk kanë pranuar produkte nga Kosova.
“Dëgjo Igor, ne ju respektojmë juve. Por ju e keni ofenduar vendin tim. Ndonëse ne ju respektojmë juve, ne e respektojmë Bosnjën”.
“Ma thuaj sa kamionë i lejoni ju të hyjnë në Bosnjë? Asnjë! A e respektoni dokumentacionin tonë, i cili shoqëron mallin nga Kosova në Bosnjë? Jo, ju nuk i pranoni, nuk i respektoni!”.
“A i njihni ju vulat tona? Jo nuk i njihni vulat tona. A munden kamionët tonë të vijnë në Bosnje dhe Hercegovinë me tabela të Kosovës? Jo ata nuk mund të vijnë”.
“Deri tani ne kemi bërë mjaftueshëm. Ne i pranojmë mallrat tuaja ne e pranojmë dokumentacionin tuaj, ne i pranojmë vulat tuaja. Ne i pranojmë kamionët tuaj ne i pranojmë pasaportat tuaja, ne kemi pranuar të gjitha këto”.
“Ju duhet ta respektoni faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe i pranuar nga dy të tretat e shteteve të botës dhe ju duhet të tregoni respekt për këtë. Në të ardhmen ne duhet të kemi vetëm reciprocitet, vetëm reciprocitet”.
“Ju e dini sa herë unë kam biseduar me ju për çështjen e vizave! Igor, ju mund të vini në çdo kohë në Kosovë”.